Më datën 16 mars 2020 në shkollat “Maarif” ka filluar procesi mësimor në largësi, ndërsa përgatitjet kanë filluar para se të jepet vendimi për pezullimin e shkollave shkaku i përhapjes së koronavirusit.
Zyrtarët e shkollave “Maarif” kanë deklaruar se shkollat kanë kapacitetet e mjaftueshme tekniko-teknologjike për situatat e tilla të jashtëzakonshme, klasat janë të pajisura me teknologji të mençur, gjë që ua mundëson nxënësve ndjekjen e mësimeve dhe mosshkëputjen nga shkolla.
Shkollat “Maarif”, duke ua ofruar mundësinë e ndjekjes së mësimit nga ambientet shtëpiake, do të marrin përsipër një rol të rëndësishëm në vazhdimësinë e edukimit. Orari mësimor ka ndryshuar dhe orari i ri u është dërguar gjithë nxënësve në adresat e tyre elektronike. Gjithashtu janë bërë sqarimet e përgatitjet teknologjike të nevojshme për programet, të cila do të përdoren konform përmbajtjes së lëndëve.

Zyrtarët e shkollave kanë bërë me dije se i gjithë programi për të gjitha klasat, nga klasa e 1-rë e deri në të 12-n, për mësim nga largësia është përgatitur në përputhje të plotë me kurrikulën zyrtare të MASHT-it.

Nxënësit do ta kenë mundësinë t’i ndjekin mësimet drejtpërdrejt me tempin e njëjtë. Pjesëmarrja e gjithë nxënësve në mësime do të përcillet dhe për këtë do të merren shënimet e nevojshme.

Të gjithëve nxënësve dhe mësimdhënësve u është ofruar mundësia e komunikimit në grup nëpërmjet sistemit, ndërsa në rast të paraqitjes së problemeve teknike në shërbim të mësimdhënësve dhe të prindërve do të jetë personeli përgjegjës i shkollës. Krahas saj, në lidhje me përdorimin e sistemit janë informuar mjaftueshëm si prindërit, ashtu edhe nxënësit, edhe duke u dërguar mesazhe elektronike.