Shqipëri-Maqedoni e Veriut, ratifikohet marrëveshja e bashkëpunimit ndërkufitar

0

Komisioni për Integrimin Evropian miratoi sot projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave, Republikës së Maqedonisë së Veriut, përfaqësuar nga Sekretariati për Çështjet Evropiane dhe Komisionit Evropian, për programin e Veprimit të Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA II, Maqedoni e Veriut – Shqipëri 2014-2020, alokimet për vitin 2020”.

Të ftuar në diskutimet e këtij projektligji ishin zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Megi Fino, dhe eksperti Sokol Dedja.

Programi i Bashkëpunimit Maqedoni e Veriut – Shqipëri ka për qëllim kryesor të kontribuojë në zhvillimin social-ekonomik të zonave ndërkufitare dhe të rrisë bashkëpunimin midis të dyja vendeve, nëpërmjet ndërhyrjeve të përbashkëta.

Ky program mbështet gjithashtu shkëmbimin e eksperiencës dhe njohurive midis përfituesve si dhe përmirësimin e politikave publike mes autoriteteve kombëtare, rajonale dhe lokale në zonën e programit.

Gjatë fjalës së saj, zëvendësministrja u shpreh se nuk po financohet ndonjë projekt konkret, por po krijohen premisa për financim në të ardhmen.

“Fondi prej 1 milion e 530 mijë euro, që është një grant i Bashkimit Evropian, do të përdoret për të financuar projekte që do të identifikohen nga thirrja e tretë për projekt propozime, pasi nuk jemi ende në fazën e financimit të projekteve konkrete”, theksoi Fino.

ata.gov.al

KOMENTO

Please enter your comment!
Please enter your name here