Shqipëri, u zhvillua ndarja e certifikatave për pjesëmarrësit e Akademisë së Medias 

0

Në Tiranë është mbajtur ceremonia e ndarjes së certifikatave për pjesëmarrësit e Akademisë së Medias, trajnimit të organizuar për herë të tretë nga Instituti “Yunus Emre” Tiranë, në bashkëpunim me Radio Televizionin e Türkiye-s (TRT), me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve turke në Shqipëri, të organizatave të shoqërisë civile dhe studentëve.

Akademia e Medias që u mbajt online në datat 6-17 qershor ishte një kurs që kishte në fokus temat për lajmet digjitale, mediat sociale, transmetimin digjital dhe tema të tjera. Pjesë e trajnimit ishin rreth 25 pjesëmarrës, punonjës të mediave në Shqipëri dhe studentë nga degë të ndryshme.

Gjatë fjalës së tij përshëndetëse, drejtori i Institutit “Yunus Emre” Tiranë, Ömer Osman Demirbaş, theksoi se menduan që të realizonin këtë trajnim me qëllimin për të ndihmuar njerëzit që janë brenda sektorit të medias.

“Jam i lumtur që keni ndjekur një trajnim dhjetëditor me një ndër mediat më të fuqishme të Türkiye-s, me TRT-në. Fuqia më e madhe për momentin në botë është media dhe sigurisht që dhe media është një ndër institucionet që ka më shumë problematika”, tha ai, duke iu drejtuar pjesëmarrësve në trajnim.

Demirbaş shtoi se nga viti në vit edhe cilësia e pjesëmarrësve në Akademinë e Medias është rritur dhe është më e mirë.

Këshilltari për Çështjet e Arsimit pranë Ambasadës së Türkiye-s në Tiranë, Metin Bulut, gjatë fjalës së tij tha se është shumë i bindur që trajnime dhe bashkëpunime të tilla do të rrisin akoma më shumë bashkëpunimin midis dy vendeve.

“Sigurisht dhe ne si Ambasadë e Republikës së Türkiye-s në Tiranë, së bashku me institucionet tona, si Fondacioni Turk Maarif, TIKA, Instituti ‘Yunus Emre’, punojmë së bashku në fusha të ndryshme për të dhënë kontributin tonë në këto fusha. Sigurisht që janë shumë të rëndësishme të gjitha programet e trajnimit që ne bëjmë këtu dhe punën që bëjmë në Shqipëri”, tha ai, duke shtuar se Shqipëria dhe Türkiye janë dy shtete mike dhe vëllezër të cilat ndajnë një kulturë dhe histori të përbashkët.

Bulut shtoi se beson shumë që atë përvojë që kanë përfituar pjesëmarrësit nga Akademia e Medias do ta shfrytëzojnë jashtëzakonisht shumë mirë për ta zhvilluar akoma më shumë sektorin e medias në Shqipëri.

Përfaqësuesi i TRT-së, Ubeydullah Yener, me anë të një video-mesazhi tha se e shikojnë si detyrë të ndajnë me kolegët ndërkombëtarë përvojën e TRT-së, sipas tij, mbështetur në ndërgjegjësimin për informimin e publikut, kulturën e trajnimeve të TRT-së dhe përvetësimin e ideve dhe teknologjive të reja.

“TRT ka një eksperiencë 58-vjeçare në fushën e medias dhe në kuadër të zhvillimeve të fundit vazhdon të përcjellë këtë eksperiencë në trajnimet që zhvillon me kolegët e huaj dhe njëkohësisht ndihmon në ndërtimin e urave të bashkëpunimet me vendet e tjera”, tha Yener.

Yener shtoi se ky program që kanë zhvilluar në bashkëpunim me Institutin “Yunus Emre” do të rrisë bashkëpunimin e dy vendeve në fushën e medias.

 

KOMENTO

Please enter your comment!
Please enter your name here