Shqipëria që vazhdon të tronditet, përpiqet të shërojë plagët e saj

0
1

Si pasojë e tërmetit 6,3 ballë që goditi të martën Shqipërinë, në Durrës dhe zonat përreth tij janë shembur shumë ndërtesa ndërsa qytetarët e prekur nga tërmeti pasi kanë marrë disa gjëra nga shtëpitë dhe ndërtesat e dëmtuara po vendosen nëpër çadra, hotelet në rajon ose në vende të ndryshme, raporton Anadolu Agency (AA).

Janë në vazhdim punimet e kërkim-shpëtimit për qytetarët të cilët kanë mbetur nën rrënojat e ndërtesave të shembura në Durrës dhe zonat përreth si pasojë e tërmetit. Deri më tani janë shpëtuar nga rrënojat rreth 45 qytetarë ndërsa thuhet se akoma mund të ketë qytetarë të mbetur në rrënojat e disa ndërtesave.

Për qytetarët e mbetur në rrugë si pasojë e tërmetit në Durrës janë ngritur çadra ndërsa duke filluar që nga dita e sotme ka filluar procesi i transferimit të qytetarëve nga çadrat nëpër hotele dhe ndërtesa të tjera të sigurta.

Moti i ftohtë dhe me shi vështirëson edhe më shumë qëndrimin nëpër rrugë të qytetarëve në Durrës të cilët dalin nga paniku për shkak të tronditjeve nga tërmetet që vazhdojnë gjatë ditës.

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar ndërprerjen e punimeve të kërkim-shpëtimit në rrënojat në Thumanë të Durrësit, ndërkohë që në zonat e tjera të qytetit ekipet e kërkim-shpëtimit të Turqisë dhe vendeve të tjera vazhdojnë punimet e tyre.

Parashikohet se nën rrënojat e shtëpive të shembura ka ende qytetarë që presin të nxirren, ndërkohë që punimet e kërkim- shpëtimit ndiqen me kujdes dhe shqetësim edhe nga të afërmit e personave që ndodhen nën rrënoja.

Përveç tronditjeve të vogla dje dhe sot tërmete 5,6 dhe 5,1 ballë sipas shkallës së Rihterit kanë goditur rajonin. Si pasojë e tërmetit deri më tani kanë humbur jetën 42 persona ndërsa janë plagosur më shumë se 750 të tjerë.

Me një vendim të Këshillit të Ministrave, për shkak të tërmetit në Tiranë dhe në Durrës u shpall gjendje e jashtëzakonshme me afat jo më shumë se 30 ditë.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama inspektoi dje punimet e kërkim-shpëtimit të kryera në rrënojat e një hoteli në zonën e plazhit në Durrës, ku ai theksoi se ndihmat e bëra nga Turqia nuk do të harrohen. Turqia nëpërmjet institucioneve të saj si Ambasada, AFAD, TIKA, Gjysmëhëna e Kuqe ka qenë vendi i parë që ka zgjatur dorën e ndihmës për Shqipërinë pas tërmetit.

Autoritetit turk për Menaxhimin e Katastrofave dhe Emergjencave (AFAD) është i përfshirë në punimet e kërkim-shpëtimit dhe Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) ka shpërndarë ndihma në pako ushqimore dhe batanije për qindra familje të prekura nga tërmeti.

Ndërsa Gjysmëhëna e Kuqe Turke për personat e prekur nga tërmeti do të ngrejë rreth 120 tenda (çadra) të cilat kanë ardhur në Shqipëri me maunet me ndihmat e nisura nga Turqia.

Ndërkohë në anën tjetër thuhet se presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta anuloi pritjet shtetërore që ishin planifikuar për t’u zhvilluar sot me rastin e “28 Nëntorit – Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë” e cila për shqiptarët është festa më e rëndësishme kombëtare.

– “Shtëpia është bërë e pabanueshme”

Ekipi i AA-së i cili po ndjek zhvillimet në terren në zonën e Kënetës pranë qendrës së Durrësit, ka vëzhguar se katet e para të disa shtëpive 2-3 katëshe janë shembur plotësisht. Disa nga shtëpitë janë shembur në një anë ndërsa shumë të tjera janë bërë të pabanueshme.

Ndër të tjera ekipi i AA-së ka filmuar edhe dëmin e shaktuar në një ndërtesë 10 katëshe në qendër të Durrësit dhe momentet kur një familje nxjerr jashtë sendet.

Aida Ballabani, e cila jeton në katin e gjashtë të ndërtesës në fjalë në një deklaratë për AA shpjegoi momentet e përjetuara gjatë tërmetit 6,3 ballë që goditi qytetin mëngjesin e së martës.

Ballabani, e cila turqishten e ka mësuar gjatë shkollimit të saj në qytetin Bursa të Turqisë, tha se gjatë kohës së tërmetit ndodheshin në shtëpi dhe se u shokuan në ato momente.

Ajo u shpreh se apartamenti ku ato jetojnë është bërë i pabanueshëm. “Jemi akoma të shokuar. Ashtu sikurse e shikoni shtëpia është bërë e pabanueshme. Akoma nuk kemi ardhur në vete. Ajo që është më e rëndësishme është se kanë shpëtuar fëmijët, shpëtuam ne dhe jemi në jetë. Falënderojmë Allahun”, tha Ballabani./AA

KOMENTO

Please enter your comment!
Please enter your name here