Shtohen rastet e koronavirusit në botë, Kosova formon grup punues

0
4

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK) sot ka mbajtur takim me Komitetin për Sëmundje Ngjitëse, me temë diskutimi pneumoninë virale me koronavirus.

Siç bëhet e ditur nëpërmjet një njoftimi të këtij instituti, drejtori Ekzekutiv i IKSHPK-së, Naser Ramadani, lidhur me këtë sëmundje ka thënë se në Kosovë nuk ka akoma asnjë rast të konfirmuar zyrtarisht me koronavirus.

Megjithatë, Ramadani theksoi se është e nevojshme të aktivizohen të gjithë mekanizmat shtetërore e institucionale, në rast të paraqitjes së ndonjë rasti të dyshimtë.

Po ashtu, ai tha se Instituti “është i gatshëm, për menaxhimin e të gjitha rasteve dhe përcjelljen e situatës epidemiologjike”, ndërsa shtoi se nuk ka nevojë për panik, por për kujdes.

Përfaqësuesja nga Zyra e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në Kosovë, Isme Humolli, u shpreh se tashmë është duke u bërë komunikimi i rrezikut me publikun dhe punonjësit shëndetësorë, ndërsa tha se matja e temperaturës së udhëtarëve me laser në aeroportin e Prishtinës mund të mos jetë aq efektiv në zbulimin e kësaj epidemie.

Në anën tjetër, drejtoresha e Klinikës Infektive, Lindita Ajazaj, potencoi faktin se kanë bërë kërkesë që të pajisen me maska dhe mjete të tjera mbrojtëse, si dhe tregoi planin për të krijuar një repart të izolimit brenda kësaj klinike, në rast të paraqitjes së ndonjë rasti.

Në fund të këtij takimi është vendosur që të formohet një grup punues në lidhje me pneumoninë virale me koronavirus. Instituti Kombëtar ka rekomanduar te të gjithë Drejtorët Rajonalë të Shëndetësisë Publike dhe punëtorët shëndetësorë që të rrisin nivelin e vigjilencës dhe raportimit të rasteve të dyshimta në të gjitha institucionet shëndetësore publike dhe private në Kosovë.

“Çdo rast i dyshimtë i sëmundjes duhet të raportohet nga Kujdesi Parësor Shëndetësor dhe institucionet tjera shëndetësore publike dhe private, brenda 24 orëve (e dëshirueshme sa më parë që është e mundshme me mjetin e komunikimit më të shpejtë) në Qendrat Rajonale të Shëndetësisë Publike dhe IKShPK”, shkruan në njoftimin e tyre.

Gjithashtu, nga masat e marra në Kosovë, në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” është vendosur ekipi mjekësor, me të cilët IKSHP është në kontakt të vazhdueshëm për mbikëqyrjen e situatës në rast të shfaqjes së personave të dyshimtë me sëmundje ngjitëse./AA

KOMENTO

Please enter your comment!
Please enter your name here