Si i uruan krerët e politikës shqiptare Fiter Bajramin/Lexoni mesazhet e tyre

0
3

Lideret e politikës kanë uruar përmes mesazheve në rrjetet sociale këtë festë të Fiter Bajramit. Ja urimet e secilit prej tyre.

Ilir Meta

GËZUAR FITËR BAJRAMIN!

Sot besimtarët myslimanë kremtojnë përkushtimin dhe sakrificën e Muajit të Madhërueshëm të Ramazanit, muajit të vetëpastrimit shpirtëror, të amnistisë hyjnore dhe solidaritetit njerëzor.

Agjërimi si rit abrahamik, për besimtarët risjell çdo vit nevojën e largimit nga ligësitë që janë pasojë e mospajtimit të arsyes me dëshirat.

Fitër Bajrami përcjell mesazhin e natyrshmërisë njerëzore, të paqes me veten, me njerëzit dhe universin në tërësi, nëpërmjet vetëprivimit ndaj egos dhe mposhtjes së kapriçove abuzive.

Suksesi i njeriut qëndron tek forca për të kapërcyer vështirësitë, me dashuri dhe respekt ndaj njëri-tjetrit, siç porosit Profeti Muhamed: “Nuk do të jeni besimtarë deri sa ta doni njëri-tjetrin”.

Bashkoj lutjet e mia me ju, për jetimët, pensionistët, të sëmurët dhe të pamundurit, të cilët në këtë kohë pandemie e kanë patur më të vështirë.

Zoti ua pranoftë agjerimin gjatë Muajit të Bekuar të Ramazanit!

Gëzuar festën e Fitër Bajramit, me shëndet e mbarësi!

Me lutjet tuaja dhe të gjithë shqiptarëve, Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët kudo ku ndodhen. 

Edi Rama

 ZOTI I DËGJOFTË LUTJET TUAJA E I DHËNTË DRITË E FORCË ÇDO FAMIlJEJE QË SOT FESTON DHE VETË SHQIPËRISË SË LUTJES SË SINQERTË, PUNËS SË PALODHUR, DASHURISË E PAQES MES SHQIPTARËVE☀️

Bekuar qoftë Shqipëria, bekuar qofshin shqiptarët

Lulzim Basha

Nga zemra ju uroj të gjithë besimtarëve myslimanë: Gëzuar Fitër Bajramin, festën e madhe të shpresës dhe besimit!

Koha që po kalojmë është plot sprova të mëdha për çdo shqiptar. Mes vështirësive e sfidave, mes sakrificave dhe vuajtjeve, forca e besimit në Zot na mbush me shpresë, na jep siguri se e keqja do të mundet, se e nesërmja do të jetë më e mirë.

Bashkoj lutjet e mija me të gjithë besimtarët, në veçanti për çdo bashkëqytetar në vështirësi e pamundësi, për ata që lëngojnë e kanë nevojë për dritën në fund të tunelit, për prindërit dhe për fëmijët tanë e për mbarë kombin tonë, me këtë sure me titullin kuptimplotë Shndritja:

“Si kur shndrin dielli i mesditës,
Ashtu dhe natën kur terri bie,
Zoti yt nuk të ka braktisur,
As zemëruar me ty nuk është.
Dhe patjetër çfarë po vjen,
Për ty më mirë do të jetë se çfarë po shkon,
Dhe Zoti duarplot do të jetë me ty,
E ti i lumtur”.

Zoti ju dhëntë begati dhe ua pranoftë agjërimin e adhurimet e muajit të bekuar të Ramazanit! Gëzuar Fitër Bajramin!

Zoti e bekoftë Shqipërinë!

 

 

KOMENTO

Please enter your comment!
Please enter your name here