Spiropali: Investimet strategjike potencial zhvillimi, opozita vijon traditën e përbaltjes

0

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali deklaroi sot se “statusi i investitorit strategjik nuk është një favor apo dhuratë që qeveria u jep në mënyrë selektive individëve të caktuar, por është një e drejtë ligjore që i jepet investitorëve kundrejt një të mire publike që ata i sjellin vendit”.

Spiropali u përgjigj në Kuvend, në interpelancën e kërkuar nga deputeti i PD-së, Agron Shehaj, mbi pretendimin e dhënies së statusit investitor strategjik dhe dhënien në përdorim të brigjeve të detit në favor të familjarëve të ministres së Jashtme, Olta Xhaçka.

Kërkesën për ngritjen e komisionit hetimor mbi këtë çështje, Spiropali e konsideroi absurde, ndërsa u shpreh se “opozita po cenon klimën e investimeve në vend”.

“Furtuna që ngrini në gotat e dollisë tuaj për arsye politike është kundër biznesit. Investimet strategjike janë një mundësi, një potencial zhvillimi dhe janë projekte që meritojnë mbështetje nga ana e organeve shtetërore, edhe pse fatkeqësisht ato janë shndërruar sot në ushqimin e radhës në traditën e përbaltjes së kujtdo, në emër të sulmit ndaj qeverisë”, tha Spiropali.

Ministrja theksoi se “Qeveria Rama ka në fokus nxitjen e investimeve duke promovuar klimën e biznesit me synim afrimin e investitorëve, si vendas dhe të huaj, si dhe promovimin e potencialit turistik të vendit dhe zhvillimit ekonomik edhe përmes zgjimit të kapitalit vendas”.

Duke iu përgjigjur pretendimeve të opozitës, ajo qartësoi se “në asnjë parashikim ligjor nuk përdoret termi ‘përfitues bregdeti’”.

“Bregdeti është pasuri kombëtare shtetërore e njohur nga Kushtetuta, që vetëm mund të lihet në përdorim për hapësirën e plazhit dhe në asnjë rast nuk mund të përfitohet”, tha ajo.

Ndërkohë, lidhur me rastin në fjalë, Spiropali theksoi se vendimi i Këshillit të Ministrave ka ardhur pas vendimit të Komitetit të Investimeve Strategjike, ashtu sikurse e parashikon ligji.

“Xhaçka dhe institucioni që ajo drejton nuk është anëtare e Komitetit të Investimeve Strategjike, organi i vetëm vendimmarrës. Kjo e përjashton qartazi përfshirjen e saj në gjendjen e konfliktit të interesit. Po ashtu, përmes një shkrese zyrtare Xhaçka ka njoftuar se nuk do të merrte pjesë në mbledhjen e qeverisë kur shqyrtohej ky vendim. Kjo shkresë e depozituar garanton respektimin e ligjit mbi konfliktin e interesit”, tha Spiropali.

Ajo theksoi se emri i Artan Gaçit, bashkëshortit të ministres ka qenë i shkruar e zeza mbi të bardhë në dokumentin e dorëzuar për aplikimin e statusit të investitorit strategjik, pasi nuk ka asnjë gjë për të fshehur.

“Motivet e vendimit të Komitetit janë të mbështetura në kuadrin ligjor. Subjekti i ka përmbushur të gjitha kriteret. Investimi është tërësisht privat, i kryer në pronë private. Nuk ka marrë tokë shtetërore dhe synon zhvillimin e zonës përmes ndërtimit të një strukture 100% hoteliere. Subjekti në fjalë është i pajisur me leje zhvillimi dhe ka paraqitur një projekt me vlerë investimi 5.59 milionë euro që krijon 120 vende pune”, theksoi Spiropali.

Ajo renditi të gjitha masat mbështetëse që mund të përfitojë sipas ligjit një investitor strategjik, duke nisur nga infrastruktura ndihmëse si rrugë, furnizim me energji, kanalizime etj, vënia në dispozicion e pyjeve, kullotave etj, e deri tek lënia në përdorim e plazhit para hotelerisë dhe shërbimit.

“Nga të gjitha masat mbështetëse këtij subjekti ju dha vetëm përdorimi i plazhit, që do të jetë me pagesë sipas tarifave të përcaktuara nga bashkia Himarë”, theksoi Spiropali.

Ajo theksoi se në total në Shqipëri janë 1162 stacione plazhi me kontrata të lidhura në gjithë territorin e vendit, ku 411 stacione ndodhen para strukturave akomoduese, 700 para stacioneve të shërbimit dhe 40 janë “beach bar”, të cilat kanë përfituar hapësirë plazhi në përdorim pa qenë fare investitor strategjik.

KOMENTO

Please enter your comment!
Please enter your name here