Spiropali: Shqipëria doli nga tuneli i krizës së shkaktuar nga COVID-19, objektiv vaksinimi i 2.2 milionë qytetarëve

0

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, deklaroi sot në Kuvend se “Strategjia kombëtare e vaksinimit ka vendosur si objektiv vaksinimin e 2.2 milionë qytetarëve për të cilën nevojiten 4.4 milionë doza”.

Spiropali tha se “askush nga opozita nuk iu referua faktit se Shqipëria ka dalë nga tuneli i krizës së shkaktuar nga COVID-19. Ky duhet të jetë një lajm i mirë për të gjithë”.

“2020-a ishte një vit i errët. Humbëm shumë shqiptarë të mirë, miq, të afërm dhe të njohur. Shumë familje humbën të ardhurat, shumë humbën punën dhe shpresën. Ekonomia u tkurr me 4 %. Studimi i BB për Ballkanin Perëndimor thekson se në 2020-ën COVID-19 e zhyti rajonin në një recesion të thellë. Shqipëria nuk bëri përjashtim. Që nga fillimi i krizës sipas Bankës Botërore, 139 mijë vende pune u humbën dhe midis 165 mijë dhe 336 mijë njerëz ranë në varfëri në të gjithë rajonin tonë. Patjetër, që kriza preku rëndë Shqipërinë. Në Shqipëri për pak muaj u humbën 48 mijë vende pune, të cilat fatmirësisht po të njëjtat raporte dhe FMN dhe BB, verifikojnë sot se janë rifituar të gjitha. Nuk kanë rënë nga qielli, por masat dhe veprimet energjike të qeverisë kanë bërë të mundur ta përballojmë këtë situatë”, nënvizoi Spiropali.

Ministrja tha se opozita bën konkurrencë me njëri-tjetrin, ne me armikun e vërtetë, COVID-19.

“Ne i dimë më mirë se ju, se ndërkohë që ju jeni duke bërë konkurrencë me njëri-tjetrin se kush do të jetë më radikal e kush do shajë më shumë, e kush është armiku më i madh i Edi Ramës, ne jemi duke u marrë me armikun e vërtetë që është kriza, që është COVID-19, që i bashkëngjitet kriza që u shkaktua nga tërmeti dhe armiku ndryshon. Por për ju armiku jemi ne, për ne ju nuk jeni armiq, por armiku i vërtetë është kriza e shkaktuar nga COVID-19 dhe tërmeti, është papunësia dhe goditja që ka marrë ekonomia të cilën e kemi përballuar me mjete që janë përdorur me efikasitet”, tha ajo.

Po ashtu, Spiropali tha se FMN ka deklaruar dy ditë më parë se ekonomia shqiptare do rritet 7.6 deri në 7.8%.

“FMN jo më larg se dy ditë më parë deklaroi se rritje ekonomike e Shqipërisë parashikohet këtë vit të jetë nga 7.6 deri në 7.8 %, ndryshe nga vlerësimi fillestar që ishte 5.55. Po ashtu FMN deklaron se ekonomia shqiptare ka shfaqur qëndrueshmëri të konsiderueshme pas tërmeti dhe pandemisë. Politika e ndjekura kanë luajtur rol kritik duke i hapur rrugë rimëkëmbjes së vendit”, theksoi Spiropali

Po ashtu, Spiropali tha se “nuk dëgjova nga kryetari i opozitës në këtë foltore për vaksinimin e popullatës. Nuk dëgjova të flasë për vaksinimin e popullatës. Vaksinat janë gjetur në një kohë rekord në përballimin e krizës ekonomike. Shëndeti i popullatës është lidhur pazgjithshmërisht me shëndetin ekonomik të vendit. Edhe ky akt normativ i buxhetit që është kthyer nga Presidenti i shërben përballimit të fatkeqësive dhe të krizave dhe rimëkëmbjes ekonomike të vendit”.

“Strategjia kombëtare e vaksinimit ka vendosur si objektiv vaksinimin e 2.2 milionë qytetarëve, për të cilën nevojiten 4.4 milionë doza. Qeveria deri më tani ka nënshkruar kontratën për sigurimin e 2.9 milionë dozave. Ka alokuar për këtë qëllim 3 miliardë lekë, por për të mbuluar nevojat e 2021 sipas këtij planit që ne kemi miratuar kërkojmë një fond shtesë prej 1.1 milionë dozash të reja, 1 miliard lekë”, tha ajo.

ata.gov.al

KOMENTO

Please enter your comment!
Please enter your name here