Të shtëna me armë zjarri në Mallakastër, policia sekuestron kallashnikov, granatë e municion luftarak, 2 në pranga

0
19

FIER

Policia e Fierit ka goditur dy raste të armëmbajtjes në Mallakastër dhe Divjakë, në kuadër të kontrolleve masive të ushtruara në orët e fundit për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, pas alarmit të banorëve se ka pasur të shtëna me armë zjarri.

Gjatë aksionit, policia ka sekuestruar një arsenal me armë zjarri, municion luftarak, granatë me ndezës, radio policie, armë të ftohta dhe sende të tjera të kundërligjshme, ndërsa ka vënë në pranga shtetasit Dashamir Kullorja dhe Jurgen Rroshi.

Njoftimi i policisë:

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, krahas angazhimit maksimal për monitorimin dhe zbatimin e masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19, vijojnë punën për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale dhe të paligjshmërisë në të gjitha fushat.

Si rezultat i kësaj pune, nga ana e shërbimeve të Komisariatit të Policisë Mallakastër, pas marrjes së njoftimit se në lagjen “5 Shkurti” ka pasur të shtëna me armë zjarri, është ndërhyrë në mënyrë të menjëhershme dhe si rezultat është bërë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit D. K., 63 vjeç.

Ky shtetas qarkullonte me armë zjarri në lagje dhe qëllonte me armë zjarri duke shkaktuar panik e frikë te banorët. Kur ka parë shërbimet e Policisë, ai ka tentuar të hedhë armën dhe të largohet, por është kapur dhe prangosur nga shërbimet e Policisë, të cilët i kanë sekuestruar edhe armën e zjarrit kallashnikov.

Gjatë kontrollit të banesës së 63-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1245 fishekë, tre krëhra, një ndezës mekanik, granatë ofensive, një shkop gome, një thike me teh të gjatë, një dorezë hekuri, një dorezë me sferë hekuri goditëse, barut për armë gjahu, një radio si ato të Policisë dhe 485 kg duhan i grirë, pa dokument blerjeje.

Po në vijim të kontrollit të territorit, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, shërbimet e Komisariatit të Policisë Divjakë kanë ushtruar kontroll në fshatin Tërbuf, Divjakë, ku kanë kapur dhe arrestuar në flagrancë shtetasin J. Rr., 25 vjeç.

Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë Divjakë i kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri pistoletë, 1 pushkë, 2 krëhra dhe 38 fishekë.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

KOMENTO

Please enter your comment!
Please enter your name here