Tensioni Iran-ShBA

0
7

Murat Yesiltas

Tensionet irano-amerikane u përshkallëzuan edhe më shumë pasi Qasem Soleimani u vra nga ShBA-ja në Bagdad dhe Irani shënjestroi objektivat e ShBA-së në Irak. Soleimani, komandanti i Forcave Jerusalemi të Gardës Revolucionare, ishte shtylla kurrizore e politikës rajonale të Iranit vitet e fundit. Soleimani doli në plan të parë si figura kryesore në operacionet e jashtme të Iranit pas fillimit të kryengritjeve arabe. Ai luajti një rol aktiv në Liban, Siri, Irak dhe Jemen, ndërsa ishte organizatori i militantëve shiitë në rajon. Për më tepër, Soleimani vendosi autoritet mbi milicët nga Libani në Jemen dhe fitoi popullaritet më të madh në politikën e brendshme iraniane sesa udhëheqësi shpirtëror Hamenei dhe Presidenti Hasan Ruhani. Duke pasur parasysh rolet dhe përgjegjësitë e Soleimanit, vdekja e tij mund të çojë në një proces që do të trondiste thellë Iranin.

Vrasja e Soleimanit dhe reagimi i menjëhershëm i Iranit janë dëshmi se politika e Lindjes së Mesme do të jetë shumë e nxehtë në vitin 2020. Nuk dihet nëse tensionet amerikano-iraniane do të bëjnë që të dy vendet të përfshihen në një luftë të drejtpërdrejtë, por kjo do të thellojë luftën e fshehtë që vazhdon për një kohë të gjatë mes dy aktorëve. Administrata e Teheranit u zotua për hakmarrje pas vdekjes së Soleimani dhe së shpejti tregoi se e mbajti zotimin. Shoqëria iraniane, e cila ka kaluar kohë të vështira për një kohë të gjatë, vazhdon të hedhë slogane të shoqëruara me betimin për hakmarrje në rrugët e Teheranit. Ndërkaq në rrugët e Bagdadit po hidhen sloganet për t’u hakmarrë për Muhendisin, i cili u vra së bashku me Soleimanin. Madje edhe organizatat e reja dhe të vogla të armatosura, të krijuara rishtazi, postuan pamje nga zotimi për hakmarrje për të dy. Parlamenti i Irakut mori vendim për largimin e trupave amerikane nga vendi dhe e autorizoi qeverinë për këtë. Është një pyetje e madhe se si Iraku, i cili tashmë është përballur me konflikt të brendshëm dhe kaos politik, do ta kapërcejë këtë proces të trazuar. Irakianët janë të vetëdijshëm se tensionet dhe rivalitetet mes ShBA-së dhe Iranit po shkatërrojnë vendin e tyre, por nuk mund të bëjnë asgjë. Ata nuk kanë një formulë magjike për të vënë në jetë idenë “As ShBA-ja, as Irani, por një Irak i pavarur”.

Nga ana tjetër, administrata e Teheranit mblodhi Këshillin e Lartë të Sigurisë Kombëtare, i cili mblidhet në situata shumë urgjente, për të vendosur se si do t’i përgjigjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në mbledhje ishte i pranishëm edhe Hamaney. Shteti iranian ngriti flamujt e kuq të luftës, të cilat janë gjithashtu një simbol i fortë në shiizëm, në kubet e xhamive. Administrata e Teheranit njoftoi gjithashtu se nuk do të përmbushë angazhimet ndërkombëtare në lidhje me programin bërthamor të Iranit dhe do të vazhdojë të pasurojë uranium, ndërsa bëri të ditur se ShBA-ja do të marrë një përgjigje shumë të rëndë. Në të vërtetë, Irani qëlloi ShBA-të në Irak. Sidoqoftë është shumë vështirë të përgjigjemi në pyetje se a do të korrespondojë kjo me vrasjen e Soleimanit? Në këtë kontekst është jashtëzakonisht e rëndësishme se si do të reagojnë SHBA-të.

Vrasja e Soleimanit pothuajse lëvizi gurët në Lindjen e Mesme. Të gjithë aktorët bëjnë parashikime për atë që do të ndodh më pas dhe bëjnë llogari sipas këtyre parashikimeve. Aktualisht, Turqia është pothuajse i vetmi vend që bën thirrje për vetëpërmbajtje. Ndërkaq Izraeli është shumë i lumtur nga vrasja e Soleimanit, ndërsa Arabia Saudite e përshkruante atë si një person të përgjakshëm. Sauditët tani janë shumë më të lumtur, por kanë frikë edhe nga reagimi i Iranit ndaj tyre. Edhe vendet e vogla të Gjirit janë të shqetësuar, ndërsa shoqëria ndërkombëtare mbetet e heshtur. Reagimet e bëra janë shumë të dobëta. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë marrë parasysh luftën, ndërsa janë duke bërë përpjekje për uljen e tensionit dhe për rifillimin e negociatave me Iranin. Nuk dihet se a do të fillojë lufta, por është e qartë që viti 2020 do të jetë shumë më i nxehtë për rajonin e Lindjes së Mesme.

Autor: Profesor i asociuan Murat Yesiltas, Drejtor i Studimeve të Sigurisë pranë Fondacionit për Kërkime Politike, Ekonomike dhe Sociale (SETA).

KOMENTO

Please enter your comment!
Please enter your name here