Tërmeti apokaliptik, ambasada e Katarit anulon pritjen për ditën Kombëtare për t’u solidarizuar me Shqipërinë

0
4

Nisur nga rrethanat e jashtëzakonshme e të vështira që po kalon Shqipëria, për shkak të gjendjes së krijuar nga tërmeti i datës 26 Nëntor 2019, Ambasada e Shtetit të Katarit në Republikën e Shqipërisë vendosi të anulojë pritjen me rastin e Ditës Kombëtare, që do të mbahej ditën e Mërkurë më 11.12.2019, në shenjë solidariteti me Republikën e Shqipërisë dhe popullin mik shqiptar dhe në respekt të viktimave të tërmetit.

Shteti i Katarit qëndroi në krah të Shqipërisë dhe popullit shqiptar që prej ditës së parë të këtij tërmeti, duke ofruar ndihma urgjente – në koordinim të plotë me autoritetet lokale – për të dëmtuarit në zonat e prekura në bashkitë Tiranë, Durrës, Thumanë, Vorë dhe Kavajë.

Ambasadori i Shtetit të Katarit, z. Ali bin Hamad Al Marri, ka kryer disa vizita inspektuese në zonat e prekura, nën direktivat e Lartësisë së tij Emirit Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani, ku mbikëqyri nga afër shpërndarjen e ndihmave nga Fondi i Katarit për Zhvillim në bashkëpunim Qatar Charity.

Ai shprehu ngushëllimet e tij për viktimat e tërmetit, dhe konfirmoi solidaritetin dhe qëndrimin e Shtetit të Katarit përkrah Shqipërisë në këto momente të vështira.
Ambasadori u shpreh gjithashtu se ai shpreson që Shqipëria të tejkalojë efektet e tërmetit sa më shpejt, të kapërcejë fazën e tanishme e të rimëkëmbet sa më parë, duke theksuar mbështetjen e vazhdueshme të Shtetit të Katarit për Republikën e Shqipërisë dhe popullin mik shqiptar./bw

KOMENTO

Please enter your comment!
Please enter your name here