Thaçi: Dita e FSK-së e gjen Kosovën në ditë zie

0
3

Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës (MFSK) dhe Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, kanë mbajtur manifestimin qendror në shënimin e Ditës së Forcës së Kosovës.

Në këtë manifestim që shënohet për nder të themelimit të FSK-së morën pjesë, presidenti, kryeministri në detyrë i Kosovës, ambasadorë të huaj, udhëheqës institucional e ushtarë dhe qytetarë të shumtë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se “dita e FSK-së e gjen Kosovën në ditë zie nga tërmeti i djeshëm ku mori jetët e vëllezërve dhe motrave tona dhe shkaktoi dëme materiale të mëdha”.

“Sot ky manifestim është i veçantë sepse nuk ka karakter festiv. Mbahet një ditë zie në Kosovë për shkak të fatkeqësisë që ka ndodhur në Shqipëri dhe solidaritetit që ka treguar shteti i Kosovës dhe populli i Kosovës me këtë situatë të rëndë që po kalon shteti dhe populli i Shqipërisë”, tha Thaçi.

Ai me këtë rast u shpreh se FSK-ja ka nisur një kapitull të ri në historinë e Kosovës, atë të paqes dhe sigurisë për të gjithë duke shtuar se “Kudo që kanë qenë ushtarët e FSK-së kanë shkëlqyer me punë profesionale fal angazhimit të tyre”.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se ushtria e Kosovës është krenari e vendit dhe ajo garanton paqe në rajon duke i përmbushur detyrimet kushtetuese në mbrojtje të sovranitetit të vendit. Haradinaj tha se synimi i FSK-së është të bëhet pjesë e NATO-s.

“Dje ushtria e Kosovës me vendim të institucioneve të vendit shkoi në Shqipëri. Në bazë të ligjit për pjesëmarrjen e FSK-së për operacione jashtë vendit për shpëtim, si dëshmi që jemi të vlefshëm për vendin, për bashkëkombësit tanë por edhe tërë rajonin në rast emergjencash të çfarëdo natyre”, tha Haradinaj.

Komandant i FSK-së, Rrahman Rama tha se FSK ka arritur me sukses të përmbushë objektivat e caktuara vjetore duke rekrutuar 700 ushtarë të rinj dhe duke ngritur përfaqësimin e komuniteteve me 10 për qind dhe përfaqësimin gjinor me 11 për qind.

“Dita e Forcës sonë si gjithherë kremtohet bashkë me partnerët tanë në nivelin bilateral me ekipin Këshillues të NATO-s dhe me KFOR-in që gjithmonë ishin dhe janë me ne gjatë rrugëtimit tonë. Ky partneritet vazhdon të thellohet edhe më tej sepse është aspirata jonë që edhe zyrtarisht të integrohemi në familjen e përbashkët të Aleancës Veriatlantike (NATO)”, tha Rama.

Në fund të kësaj ceremonie janë ndarë dekorata dhe mirënjohje për stafin e dalluar të Ministrisë së Mbrojtjes dhe oficerët dhe nënoficerët e dalluar të FSK-së./AA

KOMENTO

Please enter your comment!
Please enter your name here