TIKA ndihma për familjet në nevojë në Shqipëri

0
1
TIME.com stock photos

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) ka shpërndarë sot në Shqipëri ndihma në pako ushqimore për familjet në nevojë, me rastin e muajit të Ramazanit.

Në ceremoninë e shpërndarjes së ndihmave për fëmijët jetimë në mjediset e Pallatit të Sportit “Farie Hoti” në Tiranë, ishte i pranishëm ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Andi Seferi, koordinatori i TIKA-s në Tiranë, Necip Özay Özütok, kryetari i Fondacionit ALSAR, Mehdi Gurra dhe zyrtarë të tjerë.

Para shpërndarjes së ndihmave Ambasadori Yörük ka mbajtur një fjalë përshëndetëse ku pasi uroi të gjithë besimtarët për muajin e Ramazanit u shpreh se Turqia është gjithmonë pranë njerëzve në nevojë.

“Në këtë muaj duhet të mbizotërojë solidariteti, vëllazëria dhe bashkimi i të gjithëve. Siç e dini TIKA është një nga fuqitë tona më të mëdha dhe gjithmonë ka realizuar dhe do të vazhdojë të realizojë projekte të rëndësishme. Para disa javësh ishim në një inaugurim, ku i dorëzuam ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu 5 autoambulanca, projekt i realizuar nga TIKA. Para disa ditësh sërish ishim në një inaugurim tjetër në Skrapar, ku TIKA me ndihmën e saj mundësoi projektin e rikonstruksionit dhe mobilimit të konviktit të nxënësve”, tha ambasadori Yörük.

Një fjalë përshëndetëse në këtë aktivitet ka mbajtur edhe nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Andi Seferi, i cili tha se është një moment shumë i bukur i këtij muaji kur të gjithë së bashku mundohen të ndihmojmë dhe solidarizohen me familjet në nevojë.

“Është shumë e bukur kur shikon, duke filluar nga Ambasada turke në Shqipëri që japin kontributin e tyre, jo vetëm gjatë këtij muaji, por gjatë gjithë vitit, duke qëndruar pranë familjeve në nevojë, por edhe në shumë sektorë të tjerë të bashkëpunimit. Falënderoj TIKA-n, e cila është një pjesë e rëndësishme e bashkëpunimit që Bashkia e Tiranës ka me institucionet turke”, shtoi ai.

Kryetari i Fondacionit ALSAR, Gurra, në fjalën e tij falënderoi TIKA-n, e cila sipas tij ka ndihmuar gjithmonë fëmijët jetimë të Shqipërisë.

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) ka ofruar gjithsej 3500 pako me ushqime për familjet në nevojë në Shqipëri me produktet si miell, sheqer, oriz, vaj, makarona, kripë, etj, ndërsa në aktivitetin e sotëm janë shpërndarë rreth 1000 pako.

Institucione dhe organizata nga Turqia çdo vit shpërndajnë ndihma për familjet në nevojë gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, në qytete të ndryshme të Shqipërisë.

Gjatë këtij muaji të madhërishëm edhe Kryesia e Çështjeve Fetare të Turqisë, Diyanet, ka shpërndarë 1050 pako për familjet në nevojë në të gjithë Shqipërinë.

KOMENTO

Please enter your comment!
Please enter your name here