Tragjedia e autobusit: Krim i madh dhe mëkat i pafalshëm i pronarit e jo caktim i Zotit

0

Benjamin Idriz (Imam shqiptar në Penzberg afër Munchenit / Gjermani)

Tragjedia e aksidentit, i cili ndodhi në Bullgari, ku humbën jetën 45 të pafajshëm në mënyrë dramatike dhe të tmerrshme, është një çështje për të cilin duhet të diskutojmë edhe në aspektin fetar, moral, etik dhe shoqëror.

Në fillim dua të jem i rreptë. Kjo tragjedi nuk është si pasojë e caktimit dhe dëshirës së Zotit. Zoti, të cilit i besojmë paluhatshëm së është i Mëshirshëm, se nuk dëshiron që krijesat e Tij të digjen në zjarr në mënyrë të pamëshirshme. Zoti është ai i cili njeriut jep jetë dhe Ai ia merr jetën, por ky proces gjendet në suaza humane dhe nuk del jashtë qarkut të mëshirës, rahmetit dhe bamirësisë së Tij. Falë Zotit, Mëshirëbërësit!

Prandaj shtrohet pyetja se kush është tani shkaktari dhe fajtori i tragjedisë? Vetë Kur’ani përgjigjet: “Çfarëdo e keqe që mund t’ju godasë, ajo është pasojë e veprave tuaja të këqija” (42:30).

Njerëzit që e humbën jetën në këtë tragjedi janë viktima të një krimi. Ata ranë viktima si pasojë e një tregtie të pamoralshme. Pronari, si dhe punëtorët e agjencisë “Besa trans” kanë shkaktuar humbjen e jetës së fëmijëve, të rinjve, burrave dhe grave, të cilët ishin krejt të pafajshëm nga pasioni i pronarëve të agjencisë. Për të fituar ca lekë më shumë, në mënyre ilegale dhe cinike, kanë shkaktuar humbjen e jetës së njerëzve në moshën më të mirë. Ata janë vrasës, kriminelë, barbarë dhe nuk janë njerëz. Ata janë pa besim dhe pa besë. Të gjithë ata që e udhëheqin këtë kompani, si edhe dhe ata që kanë lejuar që autobusi të qarkullojë në atë gjendje, do të dalin para Zotit si katila (vrasës)!

Të tillë janë jo vetëm ata që e mbajnë përgjegjësinë, por edhe pushteti, i cili nuk i mbikëqyrë dhe nuk i dënon kriminelët, kontrabanduesit dhe të korruptuarit. Përgjegjës do të jenë edhe ato agjenci, që as në të ardhmen nuk do të ndërmarrin masa për t’i dhënë fund tregtisë ilegale dhe do të vazhdojnë njësoj si deri tani.

Detyrimi i hoxhallarëve në këto ditë të vështira për familjarët është që t’u japin atyre gajret, moral dhe shpresë. Por, hoxhallarët e kanë edhe një detyrim – të flasin guximshëm për krimin dhe kriminelët, të tregojnë se posedimi i emrit mysliman, që e mbajnë përgjegjësit e veprave të ligëta, nuk do t’i shpëtojë ata nga dënimi i Zotit: “Ata që e hanë pa të drejtë pasurinë e skamnorëve, në të vërtetë ata hanë atë që mbush barkun e tyre zjarr dhe do të futen në zjarrin e xhehennemit.” (4:10).

Të flasin për fitimin hallall dhe për rrezikun e ryshfetit, krimit dhe korrupsionit më shumë sesa për namazin. Të flasin më shumë për abuzimin e detyrës zyrtare e të detyrës së besuar në pushtet e në drejtimi e kompanive.

Pa dyshim se viktimat janë lulet e xhennetit dhe do të jenë në nivelet më të lartë bashkë me familjarët që do ta mbajnë në zemrat e tyre flakën e dhimbjes. Në xhennet do të mbarojë dhimbja e tyre dhe aty do të fillojë lumturia e amshueshme.

Ndërkaq, pa dyshim që shkaktarët e incidentit do të jenë drunjtë e xhehenemit. Aty do të mbarojë lumturia e fitimit nga tregtia ilegale dhe aty do të fillojë dhimbja e amshueshme!

KOMENTO

Please enter your comment!
Please enter your name here