Unioni Botëror i Dijetarëve Muslimanë kërkon lirimin e dijetarëve muslimanë nga Riadi

0

Unioni Botëror i Dijetarëve Muslimanë kërkon nga Riadi lirimin e dijetarëve muslimanë

Unioni Botëror i Dijetarëve Muslimanë ka kritikuar arrestimin e raportuar të predikuesve dhe dijetarëve muslimanë në Arabinë Saudite, në mesin e të cilëve gjendet predikuesi i njohur Selman al-Aude, njëherësh anëtar i bordit të administratorëve të unionit, duke kërkuar lirimin e tyre.

Të hënën, aktivistët raportuan në median sociale se autoritetet saudite kishin arrestuar më shumë se 20 predikues dhe dijetarë muslimanë për arsye të paspecifikuara. 

Krahas Audes, në mesin e të arrestuarve thuhet se gjenden edhe predikues të shquar sauditë, si Aidh al-Karni dhe Ali al-Omari. 

Arabia Saudite ende nuk ka dhënë ndonjë deklaratë zyrtare lidhur me arrestimet e raportuara. 

Në një deklaratë të publikuar të hënën vonë, Unioni Botëror i Dijetarëve Muslimanë me bazë në Doha sugjeroi se arrestimet kishin të bënin me krizën diplomatike, që tani gjendet në muajin e katërt, mes Katarit dhe bllokut arab prej katër shtetesh të udhëhequr nga Arabia Saudite. 

“Në lidhje me krizën me vendet anëtare të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC), al-Aude nuk ka bërë asgjë, por kërkon një unitet mes këtyre vendeve vëllazërore”, thuhet në deklaratë. 

Deklarata vazhdon duke cituar sekretarin e përgjithshëm të Unionit, Ali Karadagi, i cili ka thënë se Aude është i njohur për “përpjekjet e tij të predikimit” dhe “pozicionet e moderuara”. 

Deklarata gjithashtu vë në dukje se Aude, në postimin e tij të fundit në Twitter, i kishte kërkuar anëtarëve të GCC-së “të bashkoheshin për hir të popullit të tyre”. 

Së bashku me Katarin dhe Arabinë Saudite, GCC me gjashtë vende përfshin Kuvajtin, Bahreinin, Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) dhe Omanin.

Unioni Botëror i Dijetarëve Muslimanë gjithashtu i ka kërkuar mbretit saudit Selman bin Abdulaziz që të urdhërojë lirimin e predikuesve dhe studiuesve të arrestuar, të cilët, siç thuhet, “nuk duhet të përdoren si gurë shahu në mosmarrëveshjet politike”.

Ndryshe, në fillim të qershorit, Arabia Saudite, EBA-të, Egjipti dhe Bahreini shkëputën lidhjet diplomatike dhe ekonomike me Katarin, duke e akuzuar atë për “mbështetjen e grupeve terroriste në rajon”.

Katër vendet vendosën gjithashtu embargo mbi Katarin dhe përgatitën një listë të gjatë kërkesash, duke përfshirë mbylljen e transmetuesit të lajmeve me bazë në Doha, Al Jazeera, nën kërcënimin e sanksioneve të mëtejshme. 

Katari ka refuzuar të plotësojë kërkesat, duke mohuar akuzat se mbështet terrorizmin dhe duke përshkruar përpjekjet e bllokut për ta izoluar atë si një shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe shkelje të sovranitetit të tij kombëtar. (AA)

KOMENTO

Please enter your comment!
Please enter your name here