Uragani “Maria” nuk vonoi. Ashtu siç u paralajmërua nga Qëndra Kombëtare Amerikane e Uraganëve në SHBA ky uragan ishte për Ishujt Karaibe.
“Uragani Maria është ekstremisht shumë i rrezikshëm”, kështu bëri me dije Qendra Kombëtare e Uraganeve.
“Maria” aktualisht po kalon në pjesën veri-perëndimore të ishullit Dominica, pjesë e Karaibeve, dhe më pas do të shkojë tek Ishujt Virgin, që u goditën dy javë më parë nga uragani Irma.
Uragani i ri “Maria” është intensifikuar duke shkuar kështu në kategorinë e pestë.
Era arriti shpejtësinë 260km/orë dhe solli shira të fuqishëm teksa kaloi në këtë ishull natën e djeshme.
Nuk bëhet ende e ditur nëse ka viktima apo të plagosur por ky është uragani i parë që godet ishullin Dominica në tërë historikun e tij.
Kryeministri i ishullit Roosevelt Skerrit, i cili u shpëtua nga shtëpia e vetë e cila po përmbytej, është shprehur tepër i frikësuar për këtë çështje.
Skerrit tha se kishte një dëm kolosal, me çati që shkëputeshin nga shtëpitë. Burimet thanë se spitali që mban emrin “Princesha Margaret”, në kryeqytetin Roseau, u shkatërrua dhe stacionet e radios ndaluan së transmetuari pasi uragani goditi ishullin Dominica, pjesë e Karaibeve dhe që popullohet nga 72.000 banorë.
“Maria” tani po drejtohet në shtetin e Guadalupes dhe është ende në kategorinë e pesë për nga fuqia.
Më pas është parashikuar që do të shkojë në ishujt Virgin dhe Puerto Rico, që kanë shpallur që tani gjendjen e emergjencës.