Vendimi/Nga kujdesi shëndetësor deri në hoteleri e restorante, miratohet kriteret dhe shërbimet për kompanitë që do rezervojnë pjesëmarrjen në tender

0

Kompanitë apo OJF-të që do të garojnë në tenderët e shërbimeve të kujdesit shëndetësor social, kulturor, hotelerisë apo të edukimit do të kenë të drejtën e rezervimit të pjesëmarrjes.

Kontratat e prokurimeve ku do të lejohet e drejta e rezervimit duhet të jenë mbi 20 mln lekë. Për kontratat klasike vlera e prokurimet do të jetë deri në 90 mln lekë dhe për kontratat sektoriale deri në 120 mln lekë. Llojet e shërbimeve të veçanta që mund t’u rezervohet pjesëmarrja në tender dhe kriteret që duhet të plotësojnë kompanitë janë të përcaktuara në vendimin e botuar në Fletoren Zyrtare.

Konkretisht mund të rezervohet e drejta e pjesëmarrjes në prokurimet e shërbime rekreative, kulturore dhe sportive; shërbime të administrimit, të mbrojtjes dhe të sigurisë sociale; shërbime të hotelerisë dhe të restoranteve; shërbime të edukimit e të trajnimit; shërbime të kujdesit shëndetësor e të kujdesit shoqëror dhe shërbime personale, sociale dhe në komunitet.

Vendimi përcakton se organizatat që do të kërkojnë të rezervojnë pjesëmarrjen në prokurim duhet të plotësojnë disa kushte, ku fillimisht përfitimet e krijuara të investohen sërish për përmbushjen e objektivave të organizatës, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Gjithashtu strukturat drejtuese ose të pronësisë së organizatës bazohen në parimet e pronësisë dhe të pjesëmarrjes së punonjësve ose kërkojnë pjesëmarrje aktive të punonjësve, përdoruesve ose palëve të interesuara dhe gjatë 3 viteve të fundit organizata nuk është shpallur fituese e një kontrate për shërbimet e përcaktuara në këtë vendim nga autoriteti që prokuron kontratën.

Përcaktimet e parashikuara në këtë vendim janë njësoj të zbatueshme për operatorët ekonomikë, si persona fizikë ose juridikë apo atyre në cilësinë e organizatave jofitimprurëse, si dhe për bashkimet e tyre. Nga zbatimi i kritereve të vendimit përjashtohen grantet dhe projektet për kulturën.

Nga entet kontraktore do të përdoren dokumentet standarde të prokurimit të shërbimeve sociale dhe të shërbimeve të tjera specifike, të miratuara nga Agjencia e Prokurimit Publik.

Për kriteret e pranimit vendimi përcakton se entet kontraktore duhet të sigurojnë që ofertuesit të mos jenë në kushtet e s’kualifikimit, sipas parashikimeve të nenit 76, të LPP-së. Enti kontraktor sakaq ka të drejtë të vendosë edhe kritere të veçanta pranimi, në varësi të objektit që prokurohet, nëse vlerëson se këto janë të domosdoshme për realizimin me sukses të kontratës.

“Në çdo rast, këto kritere duhet të jenë proporcionale dhe të lidhura me natyrën e përmasat e objektit që prokurohet. Në procedurat e prokurimit për kategoritë e shërbimeve sociale dhe të shërbimeve të tjera specifike, enti kontraktor nuk kërkon paraqitjen e sigurimit të ofertës”, thuhet në vendim.

Në kriteret e zgjedhjes sakaq parashikohet që nga autoriteti prokurues parashikohet që zgjedhja e ofruesit të shërbimit të bëhet mbi bazën e ofertës që paraqet raportin më të mirë çmim-cilësi. Oferta, ekonomikisht më e favorshme, do të identifikohet duke përdorur metodën e efektivitetit të kostos sipas ligjit të prokurimeve.

“Të gjitha kriteret e vendosura për vlerësimin e ofertave duhet të jenë sa më objektive dhe të shprehen në shifra. Pikët maksimale që do të marrë një ofertë do të jenë 100 pikë, ku çmimi do të vlerësohet jo më pak se 20 pikë. Për kriteret vlerësuese duhet përcaktuar pesha specifike e secilit kriter e, konkretisht, pikët që do të ketë çdo kriter dhe mënyra e llogaritjes së pikëve për ofertuesit e njëpasnjëshëm. Formula, me të cilën do të llogariten pikët e ofertuesve, përcaktohet në dokumentet standarde të prokurimit të shërbimeve sociale dhe shërbimeve të tjera specifike”, përcakton vendimi./Monitor

KOMENTO

Please enter your comment!
Please enter your name here