VIDEO/ Takimi dypalësh mes kryeministrave, Maqedonia e V. dhe Serbia nënshkruajnë 3 marrëveshje

0
3

Në kuadër të vizitës së kryeministres së Serbisë, Ana Brnabiç, në Maqedoninë e Veriut, dy vendet kanë nënshkruar tre marrëveshje të ndryshme për bashkëpunim.

Kryeministrja serbe Brnabiç u prit me nderime të larta në godinën e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut nga homologu i saj Zoran Zaev, pas çka vijuan takimi dypalësh mes kryeministrave dhe takimi mes delegacioneve nga të dyja vendet, ku bënin pjesë ministra të shumtë.

Pas takimeve, përfaqësuesit qeveritarë në prezencë të dy kryeministrave nënshkruan tre marrëveshje, edhe atë: Marrëveshje për njohje të ndërsjellë të shërbimeve të besuara, marrëveshje për bashkëpunim në sferën fotosanitare dhe sigurinë e ushqimit dhe marrëveshje për njohje të ndërsjellë për miratimet e dhëna për operator ekonomik të autorizuar.

Marrëveshja për njohje të ndërsjellë të shërbimeve të besuara u nënshkrua nga ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës së Maqedonisë së Veriut, Damjan Mançevski dhe zv/kryeministri i Serbisë dhe ministër i Tregtisë, Turizmit dhe Telekomunikacionit, Rasim Ljaiç.

Marrëveshja për bashkëpunim në sferën fotosanitare dhe sigurinë e ushqimit u nënshkrua nga Trajan Dimkovski, ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit me Ujërat në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut dhe Branisllav Nadimoviç, ministër i Bujqësisë i Serbisë.

Marrëveshja për njohje të ndërsjellë për miratimet e dhëna për operator ekonomik të autorizuar u nënshkrua nga drejtori i doganave të Maqedonisë së Veriut, Gjoko Tanasovski dhe ndihmës drejtori i Drejtorisë së Doganave të Serbisë, Veselin Millosheviç.

Në konferencën për media, Zaev tha se me këto marrëveshje do të zvogëlohen procedurat administrative gjatë qarkullimit të mallrave dhe udhëtarëve. Duke folur për marrëveshjen për njohje të ndërsjellë të shërbimeve të besuara, ai tha se kjo do të mundësojë njohjen e menjëhershme të dokumenteve të miratuara në mënyrë elektronike.

“Në praktikë kjo nënkupton se dokumentet elektronike që jepen nga institucionet e Maqedonisë së Veriut, siç është regjistri qendror, dogana, drejtoria e udhëheqjes me librat amë, etj., do të njihen njëlloj në Serbi dhe e njëjta do të vlejë për dokumentet e miratuara në mënyrë elektronike në Serbi”, tha Zaev.

Brnabiç tha se me nënshkrimin e marrëveshjeve krijohen parakushte për rritje të shkëmbimit tregtar mes dy vendeve.

“Nënshkruam tre marrëveshje të rëndësishme që në mënyrën më konkrete do të mundësojnë që në të ardhmen të rritet shkëmbimi i jashtëm tregtar edhe në sektorin e shërbimeve edhe në sektorin e mallrave”, tha Brnabiç.

Më herët gjatë ditës, dy kryeministrat morën pjesë edhe në përurimin e konceptit “One stop shop” të funksionimit të vendkalimin kufitar Tabanoc, për të cilin thanë se do të përgjysmojë kohën e duhur për kalim nga njëri shtet në tjetrin./AA

KOMENTO

Please enter your comment!
Please enter your name here