Vijon restaurimi i kalasë së Prezës, një prej monumenteve më të dëmtuara nga tërmeti

0

Në kalanë e Prezës po vijon puna për restaurimin e saj pas dëmeve nga tërmeti i nëntorit 2019.

Lajmin e ka bërë ditur ministrja e Kulturës, Elva Margariti ku thekson se aktualisht specialistët po punojnë për fugatimin e mureve fortifikuese të kalasë.

“Restaurimi i kullave të Prezës ka një shkallë vështirësie të konsiderueshme. Prej muajsh arkitektët dhe specialistët e CHwB Albania po punojnë për të trajtuar të gjitha dëmtimet në kullën e sahatit, kullën rrethore dhe murin fortifikues, për të arritur stabilizimin dhe përforcimin e strukturave. Aktualisht po punohet për fugatimin e mureve fortifikuese të kalasë për ta përforcuar atë e duke siguruar trashëgimin e saj brez pas brezi”, shprehet Margariti.

Kalaja e Prezës është ndërtuar mbi një shkëmb i cili zgjatet duke u ulur në drejtim të jugut. Ana lindore e kalasë është e mbrojtur nga vetë terreni, kurse ana perëndimore përbën një territor të sheshtë, prandaj dhe fortifikimi është përqendruar pikërisht në këtë pjesë e cila përforcohet nëpër qoshe me katër kulla që kanë planimetri rrethore.

Kalaja e Prezës është një kala tipike mesjetare. Lulëzimin më të madh e ka pasur në shekullin XV, por të dhëna të ndryshme i kanë shtyrë të mendojnë specialistët, se duhet të jetë ndërtuar që andej nga shekulli XIII–XIV. Kalaja ka planimetri katërkëndore me brinjë 80 x 50 m.

KOMENTO

Please enter your comment!
Please enter your name here