Vuajtjet e “dimrit të zi” të refugjatëve nepër Evropë (FOTO+VIDEO)

0
4

Refugjatët të cilët kanë mbetur pa strehë pas shembjes së të ashtuquajturit kampi “Xhungëll” në qytetin Calais të Francës, përpiqen të mbijetojnë në kushte të rënda dimri në çadrat pranë portit të qytetit me shpresën për të shkuar në Britani të Madhe.

Refugjatët nga Etiopia apo Eritrea të cilët kanë ikur nga vendet e tyre për shkak të luftës dhe varfërisë dhe që mbërrijnë në Calais, në veri të Francës nëpërmjet Italisë, me muaj po vuajnë duke u përballur me varfëri, uri dhe nganjëherë me motin e ftohtë në tempertaura nën zero, duke “ëndërruar për një jetë më të mirë”.

Pas shembjes së kampit “Xhungëll” në tetor të vitit 2016 i cili përshkruhet si një nga kampet më të rrezikshme në botë të refugjatëve, ata që mbetën këtu po kërkojnë mënyra të reja duke u përballur me vështirësitë e jetës në një terren i cili është me baltë dhe mbeturina.

Refugjatët nga Etiopia dhe Eritrea shëtisin përreth gjatë ditës në mungesë të nevojave më themelore, ku dikush ecën në anë të autorstradës dhe dikush tjetër që pret në radhët e gjata për të përfituar nga ndihmat e kufizuara të ushqimit që ofrohen nga institucionet e shoqërisë civile.

Çdo ditë ata zgjohen me ëndrrën “për të shkelur në Britani”, dhe detyrohen që këtë ëndërr ta shtyjnë për ditën tjetër. Në motin e ftohtë i cili ashpërsohet edhe më shumë me ardhjen e dimrit refugjatët numërojnë ditët për jetën që ata ëndërrojnë.

– “Mezi e kalojmë ditën në çadra të holla”

Një refugjat nga Etiopia me emrin Abdullah i cili ka folur për Anadolu Agency (AA) duke ngrohur duart me zjarrin e ndezur me sendet e mbledhura përreth tha se pjesa më e madhe e refugjatëve ku janë afërsisht 200 persona janë të moshës 18-19 vjeç.

“Shumica nga ne për ëndrrat tona kemi lënë prapa familjet por kushtet në Evropë janë edhe më të këqija se më parë”, tha Abdullah.

Pasi ka vënë në dukje se nuk i është ofruar mbështetje në asnjë mënyrë, Abdullah thotë se “Policia qëndron gjithmonë pas nesh. Jetesa në mes të baltës dhe mbeturinave është bërë e padurueshme. Kemi dëgjuar se policia së shpejti do të mbledhë çadrat tona. Atëherë nuk e dimë se çfarë do të bëjmë”.

Ndër të tjera Abdullah thekson se janë në pritje në këtë zonë që prej 6 mujash. Duke treguar portin me shpresë ai tha se “Sa herë që tentoj të shkoj atje pengohem nga policët. Dëshpërimi na ka bërë robër mua dhe shokët e mi. Me të vërtetë është e pashpjegueshme që të zgjohesh me frikën nga ndonjë bastisje e policisë”.

– “Paqartësia më bën të humbas shpresën”

Një refugjat tjetër me emrin Omer tregon çadrën e cila edhe për një person është e vogël. Ai thotë se është i detyruar që të fle me shumë rroba të veshura dhe që janë të vjetra.

Omer ankohet se rreziku i sëmundjeve është një nga problemet më të rëndësishme. Sipas tij, askush nuk interesohet për ta nëse nuk do të ishte shpërndarë supë në enë të vogla nga organizatat e shoqërisë civile.

“Pjesa përtej detit për ne është shpëtimi. Por, paqartësia këtu më bën të humbas shpresën”, tha Omer për AA.

– Shembja e kampit “Xhungëll” rriti numrin e refugjatëve nëpër rrugë

Duket se shembja e kampit “Xhungëll” ku qëndronin refugjatë ka bërë që të rritet gjithnjë e më shumë numri i tyre nëpër rrugë. Ndërkohë që nuk ka shumë familje refugjatësh në terrenin i cili është i rrethuar nga të gjitha anët me mbeturina dhe nga fabrikat industriale.

Në zonë mund të vërehen edhe shkrime nëpër mure të cilat janë shkruar më parë nga refugjatë të kombeve të tjera historitë e cilëve janë të panjohura.

     

KOMENTO

Please enter your comment!
Please enter your name here