I dyshuari për vrasjen e Kavajës, Habib Rexha dhe shoku i tij, Ervis Kurti, do të dalin nesër para gjykatës së Durrësit për vleftësimin dhe caktimin e masës së sigurisë.

 

 

Seanca e parashikuar të mbahej sot në orën 10:00, është shtyrë për mungesë sallash gjyqësore. Gjyqtari i çështjes, Olti Skrame ka vendosur paraprakisht që seanca të bëhet me dyer të mbyllura.

 

Ekzekutori i Arjan Gosës, Habib Rexha u vetëdorëzua në polici pasditen e së mërkurës, pas negociatave të gjata mes tij, familjes dhe policisë. Në dëshminë e dhënë para grupit hetimor, Rexha ka deklaruar se vrasjen e Gosës nuk e kishte planifikuar, por e ka kryer në gjaknxehtësi e sipër.

 

 

Ai ka qenë me shokun e tij, Ervis Kurtin, kur ka parë Arjanin të ulur në lokal përbri shkollës 9-vjeçare “Rilindja” në Kavajë. 31-vjeçari ka deklaruar se pasi e ka parë shënjestrën, është zhvendosur me makinë rreth 200 metra më tutje, ku ka lënë mjetin dhe është kthyer në këmbë bashkë me armën që e mbante në makinë.

 

“Veprova nga gjaknxehtësia. E qëllova dhe pastaj u largova në drejtim të Durrësit për të shkuar në Kukës”, ka deklaruar ai në polici.

 

Viktima u vra ndërsa ndodhej në lokal së bashku me babanë e tij të moshuar, dëshmia e të cilit është pjesë e dosjes hetimore për ngjarjen. Babë e bir ishin ulur në pjesën e jashtme të lokalit dhe po ndiqnin të shkujdesur një ndeshje futbolli. Të dy kanë qenë me kurriz nga rruga, ndaj nuk e kanë parë autorin kur ka hyrë në lokal.

 

“Ishim duke parë ndeshjen. Dëgjova vetëm një krismë dhe e pashë djalin që ra në tokë dhe dikë që iku me vrap”- tha Osman Rexha. I tronditur nga gjithçka përjetoi në moshë të thyer, Osmani nuk e kishte menduar se do të humbiste dhe djalin tjetër si pasojë e krimit në të cilin u përfshi dhe humbi jetën edhe i biri Edmondi.

 

Vëllai i Habibit, Altin Rexha u qëllua nga Edmond Gosa në prani të djalit të mitur, teksa po kthehej në shtëpi me të. Meqë të dyja palët e përfshira në konfliktin e 29 marsit, Edmond Gosa dhe Altin Rexha vranë njëri-tjetrin, familja Gosa nga Kavaja nuk e kishte dyshuar hakmarrjen, e cila nuk vonoi.