Kreu i SPAK, Altin Dumani ka raportuar sot në Komisionin e Ligjeve në Kuvend për punën e bërë nga institucioni që ai drejton për vitin 2022.

 

Gjatë fjalës së tij, Dumani ka thënë se sa i takon gjendjes së kriminalitetit në vend është vënë re një rritje e sofistikimit të kryerjes së veprave penale nga grupet kriminale.

 

Po ashtu ai është shprehur se grupet e strukturuara kriminale të drejtuar nga shtetas shqiptarë po konsiderohen nga agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare si grupe kriminale me ndikim të rëndësishëm në tregjet ndërkombëtare të drogës, kryesisht në ato të kanabisit dhe kokainës.

 

Një tjetër problem që ai ngriti është Dubai, ku qëndrojnë një numër i lartë shqiptarësh në kërkim për të cilët nuk po jepet ekstradimi.

 

“Sa i takon gjendjes së kriminalitetit në vend dhe efektivitetit të ndjekjes penale janë përshkruar me detaje në raportin që ju kemi vënë në dispozicion. Gjatë hetimeve të grupeve kriminale në vitin 2022 vihet re një rritje e sofistikimit të kryerjes së veprave penale nga ana e tyre. Komunikimi midis anëtarëve të organizatës lidhet me organizatat ndërkombëtare kriminale dhe format e pastrimit të produkteve të veprës penale. Grupet e strukturuara kriminale të drejtuar nga shtetas shqiptarë po konsiderohen nga agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare si grupe kriminale me ndikim të rëndësishëm në tregjet ndërkombëtare të drogës, kryesisht në ato të kanabisit dhe kokainës. Këto grupe kriminale janë aktive jo vetëm në rajon, por edhe në disa vende të BE-së, Britanisë së Madhe, Turqi, SHBA.

 

Nga ana tjetër, grupet kriminale të drejtuar nga shtetas shqiptarë kanë arritur të kenë qasje të drejtpërdrejtë në vendet e origjinës të prodhimit të kokainës duke krijuar lidhje të fortë me organizatat kriminale në Amerikën Latine. Shihet një tendencë e lëvizjes së të ardhurave kriminale të tyre jashtë juridiksionit shqiptar në kompani offshore apo parajsa fiskale duke e rritur ndjeshëm vështirësinë e gjurmimit dhe ndjekjes penale të tyre.

 

Vihet re edhe përdorimi prej tyre i sistemeve informale transfertash parash si Havala, Hundi apo Fechain. Ose dërgimi i pagesave në parajsa fiskale në vendet si Qipro, San Marino apo dhe Dubai. Është kthyer në problematikë edhe fakti që në Emiratet e Bashkuara Arabe, përkatësisht në qytetin e Dubait, qëndrojnë një numër i lartë të kërkuarish me masë sigurimi arrest në burg për vepra penale në kuadër të krimit të organizuar për të cilët nuk po jepet ekstradimi nga autoritetet e drejtësisë”, u shpreh drejtuesi i SPAK.