Më shumë se 550 mijë refugjatë sirianë në Türkiye janë kthyer në zonat e pastruara nga terrorizmi, tha të premten ministri i Jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu.

“Kemi kthyer 553 mijë imigrantë në rajonet që kemi pastruar nga terrorizmi”, tha Çavuşoğlu në një intervistë të transmetuar drejtpërdrejt në kanalin NTV.

 

Çavuşoğlu tha se 240 mijë shtëpi do të ndërtohen në veri të Sirisë, ku do të vendosen 1 milion refugjatë.

 

Duke theksuar rëndësinë takimit katërpalësh për Sirinë, Çavuşoğlu tha se eliminimi i terrorizmit në Siri është i rëndësishëm për sigurinë dhe stabilitetin e saj.

 

“Ne ramë dakord për përgatitjen e infrastrukturës për kthimin e sigurt të sirianëve në zonat e kontrolluara nga regjimi. Ramë dakord në takimin e fundit të ministrave të jashtëm në Moskë. Kemi vendosur të krijojmë një komision në nivel zëvendësministrash, në të cilin do të marrin pjesë edhe institucionet”, tha kryediplomati turk.

 

Çavuşoğlu, ministri i jashtëm rus Sergey Lavrov, ministri i jashtëm iranian Hossein Amirabdollahian dhe ai i Sirisë Faisal Mekdad u takuan më 10 maj në Moskë për të shkëmbyer pikëpamje mbi normalizimin e marrëdhënieve midis Türkiyes dhe Sirisë dhe për të diskutuar luftën kundër terrorizmit, procesin politik dhe çështjet humanitare, duke përfshirë kthimin vullnetar, të sigurt dhe dinjitoz të sirianëve.

 

Më shumë se 3,7 milionë sirianë banojnë aktualisht në Türkiye, duke e bërë atë vendin që strehon më shumë refugjatë.

 

Pas fillimit të luftës civile në Siri në vitin 2011, Türkiye miratoi një politikë “të dyerve të hapura” për sirianët që ikin nga persekutimi dhe brutaliteti./AA