Në Beograd më 27 maj është mbajtur takimi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ku është vendosur që gatishmëria e ushtrisë serbe do të vazhdojë të mbetet në nivelin më të lartë të gatishmërisë luftarake, për shkak të tensioneve në veri të Kosovës.
Në këtë takim mori pjesë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i cili një ditë më parë vendosi për ngritjen e gatishmërisë luftarake.
Vendimi për mbajtjen e gatishmërisë luftarake në nivelin më të lartë, u tha se është marrë për shkak të “përdorimit brutal të forcës nga [kryeministri i Kosovës] Albin Kurti kundër popullit serb në Kosovë”.
Në këtë mbledhje, sipas Presidencës serbe, të pranishmit janë pajtuar “për të gjitha aktivitetet e nevojshme të sigurisë me qëllim të forcimit të kapaciteteve mbrojtëse të Republikës së Kosovës.
“Është theksuar se KFOR/NATO nuk e ka kryer punën e vet në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe Marrëveshjen Ushtarako-Teknike nga Kumanova”, u tha në njoftim.
Po ashtu, u tha se gjenerali i forcave të armatosura të Serbisë, Millan Mojsilloviç, është në kontakt me komandantin e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, gjeneralmajorin, Angelo Michele Ristuccia.
Në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare u takuan përfaqësuesit e të gjitha institucioneve të sigurisë në Serbi, po mbahet një ditë pas përleshjeve mes Policisë së Kosovës dhe serbëve lokalë në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Policia e Kosovës asistoi kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaiviçit dhe Zubin Potokut që të hyjnë në zyrat e tyre, që hasi në kundërshtim nga grupe të serbëve lokalë.
Policia hodhi gaz lotsjellës dhe shok-bomba për të shpërndarë qytetarët e mbledhur para ndërtesave komunave, ndërkaq ata hodhën gurë në drejtim të policëve. Pas ndërhyrjes së policisë, kryetarët e rinj hynë në zyrat e tyre.
Policia bëri të ditur se të paktën pesë zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime.
Rritja e tensioneve në veri u dënua nga faktori ndërkombëtar, ndërkaq Serbia ngriti gatishmërinë luftarake.
Shtetet e Bashkuara i kërkuan Qeverisë së Kosovës që të përmbahet nga “çdo veprim i mëtejmë që do t’i ndezë tensionet dhe do të nxisë konflikt”, ndërkaq Bashkimi Evropian po ashtu dënoi “veprimet e njëanshme” të Prishtinës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se i kupton shqetësimet e partnerëve ndërkombëtarë, megjithatë, sipas tij, çdo opsion tjetër “do të ishte mospërmbushje e obligimeve kushtetuese të Qeverisë sonë ndaj kryetarëve të rinj”.
Në katër komunat në veri të Kosovës, në zgjedhjet e 23 prillit u zgjodhën katër kryetarë të rinj shqiptarë, pasi në këto zgjedhje të jashtëzakonshme nuk morën pjesë partitë serbe.
Zgjedhjet u mbajtën pas dorëheqjes së kryetarëve nga radhët e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës – në nëntor të vitit të kaluar.
Kjo parti i braktisi të gjitha institucionet e Kosovës, për shkak të vendimit të Qeverisë në Prishtinë për të kryer procesin e riregjistrimit të makinave me targa ilegale serbe.
Zgjedhjet u bojkotuan nga popullata shumicë serbe në atë zonë, e cila tani nuk i pranon rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj.
Pjesëmarrja në zgjedhjet e prillit ishte 3.47 për qind e numrit të përgjithshëm të votuesve të regjistruar. /REL