U duk se ishte një variant i zbutur i Covid 19-tës, por një studim i fundit i kryer mbi 10 mijë amerikanë tregoi se rreth 10% e pacientëve të prekur nga Omicron kanë vazhduar të vuajnë pasojat për një kohë të gjatë pas infektimit.

 

 

Ky vlerësim në vetvete është më i ulët se ai gjatë pandemisë, megjithatë ai dëshmon se të paktën 1 në 10 persona nuk e marrin vetën aq lehtë nga sëmundja. Gjetjet e para nga studimi i Institutit Kombëtar të Shëndetit evidentuan dhjetëra simptoma për pacientët që vuajnë nga i ashtuquajturi ‘COVID-i i gjatë’, një term që kategorizon dobësimin e gjendjes shëndetësore e që mund të zgjasë për muaj, apo edhe për vite të tëra.

 

Ato përfshijnë lodhjen, mungesën e  përqendrimit, marrje mendsh, probleme të sistemit tretës, rrahje të shpeshta zemre, humbje të nuhatjes apo shijes, kollë kronike, dhimbje gjoksi,  përkeqësimin e simptomave pas aktivitetit fizik . Miliona persona në mbarë botën kanë kaluar COVID-in me pasoja afatgjata, me dhjetëra simptoma të ndryshme duke përfshirë lodhjen dhe mungesën e përqendrimit dhe të kthjelltësisë mendore.

 

 

Shkencëtarët ende nuk e dinë se çfarë e shkakton atë, pse godet vetëm disa njerëz, si ta trajtojnë, apo edhe si ta diagnostikojnë atë më mirë. Nën variantet e Omicronit sakaq, vazhdojnë të përhapen.