Përgjime të reja të kryemafiozit Matteo Messina Denaro janë publikuar nga mediat italiane.

 

“Ja ku jam i ngulur, me 4 goma të shpuara. Domethënë jo në kuptimin e shpimeve, por i bllokuar se jam në asfalt dhe nuk lëviz dot. Për përkujtimet e këtij m…. M.. të shenjtë”. Kështu është shprehur në bisedë me disa pacientë që kishte takuar gjatë terapisë së kancerit, Denaro në ditën e përkujtimit të masakrës mafioze të Capaci, që i kushtoi jetën gjyqtarit, Giovanni Falcone. Ai ishte acaruar sepse kishte mbetur i bllokuar në trafik për shkak të homazheve ndaj gjyqtarit.

 

“Botë e ndyrë”, mallkoi ai në mesazhin e regjistruar që ANSA ka publikuar ditën e sotme.

 

Messina Denaro, nuk tregoi identitetin e grave të cilave u tregoi në sms për sëmundjen e tij dhe u tha:”Ndihem i braktisur. Si një endacak me këmbë të thyer në mes të një pellgu gjatë kësaj nate Krishtlindjesh. E gjithë kjo situatë për mua është e mjerë dhe kam nevojë për dashuri. Por a është e drejtë të lyp për dashuri?”, ka shkruar ai.

 

Në një prej mesazheve, shefi i mafies thotë se është një biznesmen i divorcuar.

 

“Ja ku është Anna, supozohet të jetë vajza që kujdeset për mamanë, mbrëmë më kërkoi dhe gjeti një fletë të shkruar nga dora e nënës sime. Ajo më kthehet dhe më thotë se do të vdesë në funeralin tim, por kush thotë se unë vdes pas saj, ajo nuk e di këtë”.