Në tremujorin e parë të këtij viti janë miratuar gjithsej 429 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 397 leje të miratuara në tremujorin e parë të vitit të shkuar, duke shënuar një rritje prej 8.1 %.
Referuar raportit të publikuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT), sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja, në tremujorin e parë 2023, është 415.842 m2, nga 1.031.088 m2 miratuar në tremujorin e parë 2022, duke shënuar një ulje prej 59.7 %.
Në tremujorin e parë të këtij viti, vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike është 21 miliardë lekë, nga 39 miliardë lekë miratuar në tremujorin e parë 2022, duke shënuar një ulje prej 46.3 %.
Në Tiranë, sipërfaqja e dhënë për leje ndërtimi pothuajse është përgjysmuar ndërsa numri i lejeve të ndërtimit ra me vetëm 10.
Konkretisht nga 348 310 m2 të dhëna për ndërtim në tremujorin e parë të 2022-shit, në këtë tremujor sipërfaqja e dhënë për ndërtim është 199 580 m2.
Ndërsa në tremujorin e parë të 2022-shit u dhanë 89 leje ndërtimi, në periudhën janar-mars të këtij viti u dhanë 79 leje ndërtimi./ATSH