Agjencia për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave të Türkiye-s (AFAD), njoftoi se sipas të dhënave të para, 76 persona kanë humbur jetën dhe 440 të tjerë janë plagosur në gjithsej 7 qytete të vendit, si pasojë e tërmetit 7.4 ballë me epiqendër në rajonin Pazarcık në qytetin Kahramanmaraş.

 

Në një deklaratë nga AFAD gjithashtu thuhet se pas tërmetit janë shënuar 42 pas goditje, ku më e madhja ishte 6.6 ballë.

 

Tërmeti është ndjerë kryesisht në qytetet Kahramanmaraş, Hatay, Osmaniye, Adıyaman, Gaziantep, Şanlıurfa, Diyarbakır, Malatya dhe Adana, si dhe në qytetet e tjera përreth.

 

"Sipas informacioneve të marra nga qytetet Kahramanmaraş, Gaziantep, Şanlıurfa, Diyarbakır, Adana, Adıyaman dhe Malatya, kanë humbur jetën 76 qytetarë, ndërsa janë plagosur 440 të tjerë. Në kuadër të Planit të Ndërhyrjes ndaj Fatkeqësive të Türkiye-s, është shpallur alarmi në nivelin 4 dhe të gjitha grupet për fatkeqësitë janë mbledhur që qytetet tona dhe në qendrat e AFAD-it", thuhet ndër të tjera në deklaratë.

 

Në bisedimet e kryera me Ministrinë e Punëve të Jashtme, është bërë thirrje për ndihmë ndërkombëtare në fushën e kërkimit dhe shpëtimit urban përmes ERCC-së (Emergency Response Coordination Center). Për të siguruar koordinimin në rajon janë ngarkuar me detyrë prefekti i qytetit Kayseri për qytetin Kahramanmaraş, prefekti i qytetit Mersin për qytetin Hatay, prefekti i qytetit Mardin për qytetin Gaziantep, prefekti i qytetit Bingöl për rajonin Osmaniye dhe prefekti i qytetit Sivas për qytetin Malatya.

 

Ndërkohë nga shtabi i përgjithshëm janë caktuar 2 avionë për të transportuar ekipet në rajon. Të gjitha drejtoritë e AFAD-it janë vendosur në gatishmëri dhe të gjitha ekipet të kërkim shpëtimit janë dërguar në rajon./AA