Kremlini ka thënë të shtunën se gazetarët nga “shtetet jomiqësore”, nuk do të lejohen të marrin pjesë në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar, që mbahet në Shën Petersburg.

 

Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka përdorur ndër vite këtë forum për të tërhequr investime globale në Rusi.

 

“Këtë herë është marrë vendim që të mos akreditojmë publikues të shteteve jomiqësore”, ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov për agjencinë e lajmeve TASS.

 

“Interesimi për forum është gjithmonë i madh, të gjithë gazetarët tjerë do të jenë të pranishëm”, ka thënë Peskov.

 

“Shtete jomiqësore”, është definicion i përdorur nga Moska për t’i përshkruar ato vende që e kanë sanksionuar për luftën e nisur në Ukrainë, në shkurt të vitit të kaluar.

 

Kremlini e ka përsëritur disa herë se Evropës nuk do t’ia “mbyllë” dritaren – të cilën Petri i Madh i Rusisë ka tentuar ta hapë 300 vjet më parë – pavarësisht sanksioneve të periudhës së fundit.

 

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022. Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

 

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL