Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka deklaruar ditën e djeshme në një takim me kryeministren Ana Brnabiq dhe rrethin më të ngushtë të bashkëpunëtorëve se ai është “gati të vdesë, por se nuk do ta dorëzojë pushtetin pa zgjedhje”, raportojnë mediat serbe.

 

“Unë kurrë nuk do të pranoj të shantazhoj në asnjë kusht, nuk do t’ia dorëzoj kurrë pushtetin më të këqijve pa zgjedhje. Unë kurrë nuk do të nënshkruaj asnjë qeveri teknike apo tranzitore! Nëse më vrasin, vëllai im Andrej do të mbetet. Nëse më vrasin vëllanë, djali im Danilo do të mbetet. Nëse ma vrasin djalin, do të kem vajzën time Milica. Po ta vrasin edhe atë, djali im Vukan do të mbetet”,  ka thënë Vuçiç.

 

Deputetja e opozitës Marinika Tepiq, nënkryetare e Partisë Liri dhe Drejtësi, ka reaguar ashpër ndaj këtyre deklaratave të Vuçiçit në televizionin Nova S.

 

Ajo kërkoi nga bashkëpunëtorët dhe këshilltarët e Vuçiqit që “të arsyetojnë atë sepse ai nuk është më i aftë të marrë vendime”.

 

“Aleksandër Vuçiç flet për gjakderdhjen e fëmijëve të tij “Nëse më vrasin mua do të mbetet vëllai im Andrej, nëse e vrasin Andrijin do të mbetet Danilo, e nëse e vrasin Danilon do të mbetet vajza ime Milica”. Nuk e besoj atë që po lexoj, ai njeri nuk është më i aftë të marrë vendime.

 

Unë me të vërtetë u bëj thirrje miqve, bashkëpunëtorëve dhe këshilltarëve të tij mediatik që të arsyetojnë me të. Një njeri që flet për gjakderdhjen e fëmijëve të tij, në ditët kur Beogradi dhe Serbia ende qajnë për fëmijët që vdiqën, dhe e ndan atë histeri, ka humbur plotësisht sensin dhe arsyen”, tha ndër të tjera Marinika Tepiq