Zbardhen detaje nga arrestimi i shqiptarit dje në Athinë, pas një aksioni të Europol. 52-vjeçari, i cilësuar si bosi i drogës, nga Saranda, pastronte paratë e trafikantëve më të mëdhenj.

 

Operacion i përbashkët i Europol, policisë holandeze dhe policisë greke, bëri të mundur arrestimin në lagjen “Glifadha” të Athinës të shtetasi Thanas Bako alias Athanasios Bako. Operacioni është zhvilluar më 31 maj dhe është publikuar dje. “Një pastrues i njohur parash, që pastronte paratë e pista të kriminelëve më të mëdhenj në botë, është arrestuar më 31 maj në Athinë në Greqi” citon deklarata e para disa orëve e Europol. “Arrestimi i tij vjen pas një hetimi të gjatë nga Policia holandeze (Politie) për aktivitetet e këtij bankieri të fshehtë që vepron në Holandë. Burri dyshohet se drejtonte një organizatë kriminale, e cila pastronte miliona euro në baza mujore për kriminelët.

 

Ky arrestim u mbështet në kuadrin e Task Forcës Operacionale “TOKEN” e ngritur në Europol për të synuar rrjetet që lehtësojnë bankingun nëntokësor në mbarë botën.

 

Policia greke: U qarkulluan 250 mln euro për 10 muaj

Policia greke ka reaguar lidhur me operacionin për kapjen e sarandiotit Thanas Bako në Glifadha. “Organizata kriminale trafikonte në baza ditore, nëpërmjet një sistemi bankar “të nëndheshëm” duke përdorur komunikime të koduara, shuma të mëdha parash dhe llogaritet se për një periudhë rreth 10 mujore trafikoheshin shuma të rendit të 250 milionë eurove.

 

Në kontrollin e kryer në banesën e të arrestuarit, janë gjetur dhe sekuestruar shuma parash në kartëmonedha me origjinë nga vende të ndryshme, mes të cilave euro, dollarë amerikanë, dollarë kanadezë, dollarë australianë, franga zvicerane, lira turke, dirhemë të Emirateve të Bashkuara Arabe Rand të Afrikës së Jugut. Gjithashtu janë konfiskuar telefona celularë, përfshirë një celular që përdoret për biseda të koduara përmes aplikacioneve speciale, një tabletë, një disk dixhital dhe karta SIM. Drejtoria Operative e S.D.O.E. Attica vijon bashkëpunimin me Autoritetet Holandeze përkatëse dhe me Autoritetet Gjyqësore kompetente të vendit, pasi ka dyshime të arsyeshme për pastrim parash në Greqi nga aktivitete kriminale”.