Luna është qeni që është shndërruar në një hero për gruan në Mbretërinë e Madhe. Ajo ka rrëfyer se marrëdhënia e saj me qenin nuk ka qenë më e mira, pra nuk ka pasur një lidhje aq të fortë dashurie me të sa anëtarët e tjerë të familjes, por në një moment krejt papritur gjithçka ndryshoi. Një ditë qeni “iu hodh” në gjoksin e djathtë dhe që prej asaj dite i qëndronte aty pranë pa pushim.

 

Fillimisht Trisha Allison tha se nuk e kuptonte se si qeni filloi që të ishte kaq i dashur përkundrejt saj, por 2 javë më pas filloi që të ndjente dhimbje gjoksi dhe shkoi duke bërë një vizitë, ku kuptoi se vuante nga kanceri.

 

“Po të mos ishte Luna, nuk do ta kisha zbuluar se vuaja nga kanceri”, tha 50-vjeçarja britanike për agjencinë e lajmeve SWNS.

 

Nëna britanike e dy fëmijëve deri më tani i është nënshtruar dy operacioneve për heqjen e tumoreve dhe po pret që mjekët t’i bëjnë të ditur nëse do t’i duhet t’i nënshtrohet kimioterapisë.