Intervistë me studiuesin e çështjes çame, Hajredin Isufi/ Kur flitet për Çamërinë dhe për përvjetorin e masakrave atje gjëja e parë që na vjen në mendje janë historianët, dëshmitarët okularë apo edhe studiuesit të cilët merren me këtë çështje. 

 

Në një intervistë për median tonë në lidhje me këtë histori të dhimbshme studiuesi dhe historiani çam Hajredin Isufi thotë se 27 qershor 1944 është një datë e zezë për historinë e Çamërisë. 

 

 

Ai quan një masakër të egër të grekëve ndaj shqiptarëve të Çamërisë dhe në vijim të fjalës së tij shprehet: “Historia e kësaj masakre duhet parë në një aspekt shumë të rëndësishëm. Pyetja e parë që duhet të bëjë një studiues është: pse shqiptarët e Çamërisë u masakruan që nga viti 1913 deri në vitin 1940 në këtë mënyrë? Që në vitin 1913  kur qeveria greke pushtoi Çamërinë me armë dhe e vuri plan vetes ta zhdukë dhe ta çrrënjosë këtë komunitet nga trojet e veta’.

 

Duke folur për arsyen e armiqësisë së grekëve ndaj çamëve Isufi thotë se shqiptarët kishin një kombësi tjetër, flisnin një gjuhë tjetër dhe kishin një fe tjetër. “Greqia është i vetmi vend atëherë dhe sot që do një komunitet të vetin dhe nuk do ta përziejë me komunitetet të tjerë”, thotë Isufi dhe më pas shton: “Edhe sot e kësaj dite në Greqi  nuk kanë liri komunitetet. Nuk kanë liri fetare, politike apo liri që mund ti ketë një komunitet në çdo vend tjetër”.

 

Isufi foli edhe për shpërnguljen e çamëve drejt Turqisë, ndërsa duke cekur edhe historinë e këtyre marrëdhënieve ai thotë: “Greqia mori një ok për të sulmuar Turqinë dhe forcat turke të asaj kohe nuk rezistuan dot por pak kohë më vonë forcat turke i dhanë një goditje shumë të rëndë Greqisë dhe e detyroi qeverinë greke të shpërngulte nga zona e Turqisë 1 milionë e 350 mijë grekë të strehuar në Turqi. Nga ana tjetër në kuadër të një marrëveshjeje grekët që jetonin në Turqi u vendosën në Greqi, ndërsa turqit e Epirit të dërgoheshin në Turqi.

 

Këtu tentativa e parë e Greqisë ishte përfshirja e shqiptarëve myslimanë të Çamërisë në këtë marrëveshje që nuk kishte asnjë të përbashkët me turqit. E vetmja gjë që i bashkonte këta ishte feja. Por feja e njëjtë nuk do të thoshte që ata kishin të njëjtën kombësi. Në traktatin e Lozanës i cili u bë në vitin 1923 pati debate të mëdha. I vetmi shtet që i doli në mbështetje kësaj çështje ishte përfaqësuesi i Turqisë dhe ai i Italisë të cilët thanë që popullsia e Çamërisë nuk është popullsi turke dhe si e tillë nuk duhet të përfshihet.

 

Qëndresa e tyre ishte kaq e fortë saqë detyroi qeverinë greke të tërhiqet. Vetë Venizelos në këtë kohë deklaroi se këta janë një popullsi autoktone në trojet e veta dhe prandaj nuk duhet të përfshihen në shkëmbim. Nga ana tjetër ministri grek në Tiranë thotë që qeveria greke ka marrë një vendim që popullsinë çame në këtë rajon të mos e lëvizë dhe të mos e ngatërrojë me popullsinë turke.”

 

-Jashtë tolerant dhe brenda agresor

 

“Kjo ishte një taktikë djallëzore e Greqisë. Në politikën e jashtme tregonte që ishte shumë tolerante dhe e drejtë me marrëdhënien me komunitetet nga ana tjetër kjo mendoi që me presione, shtrëngime dhe forma të ndryshme të makinacioneve të detyronte me dashje që të largohej kjo popullsi dhe që këtu nisën presionet e mëdha”, shprehet  studiuesi dhe më pas shton: “Presione nga administrata lokale, nga qeveria, ndjekja e patriotëve dhe si rrjedhojë pjesa më e madhe e popullsisë çame në këtë kohë u detyrua të largohet por në shumicën e rasteve rezistoi. Megjithatë pati dhe nga ata që u larguan.  

 

 Në vitin 1923 qeveria e Zogut nxori një ligj për përcaktimin e vendeve dhe trojeve për strehimin e çamëve të larguar, por këtë e vuri në zbatim në vitin 1931. E vetmja qeveri e cila i shtriu dorën çamëve në këtë kohë ishte Turqia. Jo vetëm që i pranoi, i përballoi shpenzimet e rrugës etj. Në historiografinë shqiptare ky studim mungon. Sepse jemi mësuar të themi se Turqia veproi njëlloj si Greqia. Greqia largoi çamët për të boshatisur Epirin, ndërsa Turqia kërkonte çamët për të mbushur cepat e Anadollit. Kjo gjë nuk është e vërtetë.”

 

Pse Greqia ishte kaq e ashpër?

 

Po përse Greqia ishte kaq e ashpër me shqiptarët e Çamërisë? Duke folur më gjerë për këtë, Isufi thotë: “Përveç atyre gjërave që thash; kombësisë, gjuhës dhe fesë ajo kishte rrënjosur në shpirtin e saj tendencën e hakmarrjes ndaj muslimanëve të Çamërisë. Në Çamëri nuk ka pasur as konflikte mes muslimanëve dhe grekëve. Përkundrazi, ka patur një harmoni të plotë. Në shumë fshatra shumë muslimanë e kishin origjinën nga të krishterë. Ka qenë njerëz të krishterë të cilët janë islamizuar në shekullin e 15-16. Edhe pse e tillë armiqësia ishte e madhe.”

 

 

Duke theksuar se masakrat më të mëdha në Çamëri i kanë bërë njerëz të ardhur nga zona të thella pasi edhe drejtuesit lokalë ishin nga zona të largëta dhe të thella pasi nuk donin të kishte vendas me frikën se mund të kishte ndonjë tolerancë ndaj çamëve, Isufi në vijim të fjalës së tij u fut në detajet e masakrave duke thënë: “Në Paramitos u bë një masakër e egër. Paramithia u rrethua 3-4 muaj përpara. Ky rrethim u bë në mënyrë që të mos kishte asnjë lloj lëvizjeje. Kur u bë sulmi i Paramithisë u paralajmëruan qytetarët. Ne kemi bashkëjetuar shumë mirë dhe në harmoni.

 

Çdo gjë që ka ndodhur ia kemi lënë luftës. Pas luftës do të jetojmë në paqe. Kjo i vuri në gjumë shqiptarët. Dhe si pasojë, që të nesërmen filloi masakra. Masakra filloi që nga shtëpitë. Duke sulmuar gratë, fëmijët, burrat dhe të moshuarit. Aq shumë saqë rrugët e Paramithisë u mbushën me gjak. Nga ana tjetër nuk merrej vesh se çfarë bëhej në Paramithi. Çamët që jetonin përreth Paramithisë mësuan masakrën atje përmes miqve të tyre të krishterë që hynin dhe dilnin. Duke mësuar këtë gjë ata morën masa duke nisur një lloj mbrojtje popullore. Njerëz të cilët mund të luftonin dolën në zona të caktuara për të ndaluar masakra të tjera të mundshme. Patjetër që nuk mund ti dilnin ballë ushtrisë së armatosur mirë, por megjithatë ata bënë rezistencë.”

 

-Çamët nuk kanë qenë asnjëherë hakmarrës

 

Megjithatë çamët nuk kanë qenë asnjëherë hakmarrës ndaj gjenocidit që iu është bërë thotë studiuesi duke dhënë këtë shembull: Në tetor të vitit 1940 u internuan një pjesë e madhe e çamëve duke u detyruar të lënë pas pasuritë e tyre të luajtshme dhe të paluajtshme. Çdo gjë e tyre u grabit. Madje edhe vajzat dhe gratë e tyre u përdhunuan nga grekët. Çamët kur erdhën nga internimi u ballafaquan me krimet e rënda që kishin përjetuar familjet e tyre dhe këta u frenuan për tu hakmarrë ndaj atyre që ishin bërë. Ka shumë autorë grekë që flasin për çamët ku thonë se ata kanë qenë të mençur dhe asnjëherë nuk krijuan hakmarrje. 

 

Duke folur për një libër të ri të botuar nga një qytetar i krishterë i Filatit përkundër akuzave ndaj çamëve që ngrihen sot nga grekët ai thotë: ‘Filatin nuk e Çamëria. Filatin e prishën dhe e dogjën disa halabakë.’ Kjo është historia e vërtetë që vë dritë mbi mjegullën e keqe greke thotë Isufi në vijim të fjalës së tij. 

 

Ndërsa duke u ndalur tek bashkëjetesa e popujve, Isufi thotë: “Popujt e duan njëri-tjetrin. Popujt nuk janë zullumqarë të njëri-tjetrit, zullumqarë është politika, është klani politik që i ndërsejnë njerëzit kundër komunitetit çam. 

 

Në fund të fjalës së tij studiuesi Isufi thotë: “Çamëria e pësoi shumë keq pasi në luftën antifashiste ata u bashkuan me forcat greke për që këta ja kishin me hile”.  “Lëvizja anti-fashiste greke nuk ka qenë e predispozuar për të ndihmuar popullsinë çame. Përse nuk ndërhynë ata kur u bënë masakrat në Parimit? Në Filat, etj? Të gjitha këto i kam nga burimet greke. Kur ishte fjala për gjenocid ndaj çamëve forcat anti-fashiste bashkoheshin me forcat Anizelos. Me fjalë të tjera Çamëria është një dramë që akoma nuk ka marrë zgjidhje. Zgjidhja e Çamërisë do të bëhet vetëm atëherë kur ta ketë si prokupacion kryesor qeveria shqiptare dhe vetë çamët të ndërgjegjësohen për vendin dhe historinë e tyre dhe të dinë çka përjetuar kombi i tyre.”

 

 -Gjenocidi në Çamëri

 

Nga qershori i vitit 1944 deri në mars të vitit 1945,  shqiptarët e Çamërisë përjetuan një gjenocid nga forcat greke nën komandën e Napoleon Zervës, që shkakto vdekjen masive të civilëve, por shkatërrimin, grabitjen dhe konfiskimin e pronave të tyre. 

 

Janë rreth 5 mijë shqiptarë të Çamërisë, mes tyre të moshuar, gra dhe fëmijë që humbën jetën nga masakrat dhe nga vuajtjet. 

 

Si pasojë e masakrave u spastrua etnikisht një popullsi prej 35.000 banorësh, shqiptarë myslimanë të Çamërisë që u vendosën kryesisht në Shqipëri si refugjatë, por edhe në vende të tjera.