Prodhimi i pemëve frutore në vitin 2022 është 295.428 tonë duke u rritur me 2,86%, krahasuar me vitin 2021, sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT.

Qarqet me nivelin më të lartë të prodhimit të pemëve frutore, regjistrohen Korça me 82.947 tonë pasuar nga Elbasani me 41.649 tonë dhe Fieri me 36.155 tonë.

Sipas INSTAT, grupi i pemëve frutore me farë zë 41,96% të prodhimit, peshën kryesore në këtë grup e zë prodhimi i mollëve, ku vetëm Qarku i Korçës zë 62,97% të prodhimit të mollëve gjithsej në vend.

Në grupin e pemëve frutore me bërthamë (bërthamore), peshën më të madhe e zënë prodhimi i kumbullave me 46,31%, pasuar nga qershitë me 24,99% dhe pjeshkët me 23,05%.

Në vitin 2022, shegët zënë 23,97% të prodhimit në grupin e pemëve frutore subtropikale duke shënuar një rritje prej 45.12%, krahasuar me vitin 2021. Arrat dhe gështenjat zënë 81% të prodhimit në grupin e pemëve frutore arrore.

INSTAT bën të ditur se, prodhimi i arrave është rritur me 18,24%, krahasuar me një vit më parë. Niveli më i lartë i prodhimit në këtë grup është shënuar në qarkun e Dibrës me 2.871 tonë.

Ndërkohë që rritje të ndjeshme shënoi edhe prodhimi i ullinjve. Në vitin 2022, u prodhuan 157.710 tonë ullinj, duke shënuar rritje me 43,16%, krahasuar me një vit më parë, niveli më i lartë i prodhimit të ullirit u arrit në qarkun e Fierit me 43.827 tonë.

Prodhimi i ullirit ne qarkun e Beratit ka shënuar një rritje prej 186,68%. Varietet e ullirit për vaj përfaqësojnë 81,71% të prodhimit gjithsej dhe varietetet e ullirit për tavolinë përfaqësojnë 18,29%./ATSH