Policia e Shtetit ka zbardhur ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, në ambientet e një lokali në Vlorë,  ku për motive të dobëta, u tentua të vritet me armë zjarri një 33-vjeçar, i cili mbeti i plagosur.

 

Në një njoftim për mediat bëhet me dije se janë identifikuar dhe shpallur në kërkim autorët e dyshuar të këtij rasti, për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit

 

Konkretisht janë shpallur në kërkim: E. H., alias B. B., 41 vjeç, banues në Sherishtë; N. Xh., 28 vjeç, banues në Vlorë; E. O., 27 vjeç, banues në Vlorë.

 

Nga veprimet hetimore të kryera dyshohet së këta 3 persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në ambientet e një lokali të administruar nga shtetasi K. L, në lagjen “Pavarësia 3”, kanë tentuar të vrasin me armë zjarri, për motive të dobëta, shtetasin T. R (H), 33 vjeç, banues në Vlorë, i cili për pasojë ka mbetur i dëmtuar në gjymtyrët e poshtme të tij.

 

Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 4 gëzhoja arme zjarri dhe 1 fishek luftarak me kapsollë të padëmtuar, të cilat u dërguan në Institutin e Policisë Shkencore, për kryerjen e ekzaminimeve të mëtejshme.

 

Gjithashtu, si rezultat i kontrolleve u konstatua se në ambientet e lokalit ku ndodhi ngjarja, organizoheshin lojëra fati, në kundërshtim me ligjin. Për këtë veprimtari kriminale u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojra të palejuara”, për shtetasin K. L., 28 vjeç, banues në Vlorë, si dhe u sekuestruan letra bixhozi.

 

Vijon puna intensive për kapjen e 3 shtetasve të shpallur në kërkim.