Të paktën 667 persona u arrestuan në të gjithë Francën në orët e para të mëngjesit të së premtes, thanë zyrtarët, ndërsa dhuna vazhdoi në natën e tretë të trazirave të shkaktuara nga të shtënat vdekjeprurëse të policisë ndaj një 17-vjeçari me origjinë algjeriane dhe marokene.

 

Fishekzjarrë dhe predha u hodhën në drejtim të policisë, kazanët u dogjën po ashtu edhe depot e autobusëve në qytete në të gjithë vendin.

 

Në disa qytete, ndërtesat publike ishin në shënjestër. Pati trazira në Dijon dhe në Burgundy, po ashtu u regjistruan përleshje në qendër të Marsejës në jug dhe në Lille në veri.

 

Ka pasur gjithashtu trazira në qytete duke përfshirë Rennes dhe Lyon. Protestuesit u përleshën me policinë në Paris, dhe për herë të parë ka pasur plaçkitje të dyqaneve në qendër të kryeqytetit.

 

Në shtëpinë e banimit Pablo Picasso në Nanterre – ku ishte rritur djali 17-vjeçar, Nahel, i cili u qëllua nga policia – përleshjet me policinë vazhduan gjatë gjithë natës.

 

Të paktën tre qytete përreth Parisit, duke përfshirë Clamart, Compiègne dhe Neuilly-sur-Marne, vendosën shtetrrethim të plotë ose të pjesshëm gjatë natës, pasi një raport i inteligjencës së policisë që doli në mediat franceze dhe parashikonte “dhunë të përhapur urbane gjatë netëve të ardhshme”.