Sali Berisha mbështet propozimet e partive të vogla për ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Në konferencën për median ai zbuloi se në cilat pika bie dakord.   

 

"Sa i përket ndryshimeve në kodin elektoral, jam shprehur dhe shprehem se jam plotësisht dakord me vendosjen e nenit për votimin e detyruar të qytetarëve. E kanë disa vende të lira dhe ato që e kanë vendosur, kanë pasur vetëm mirësi nga kjo, sepse ka shmangur blerjen e të drejtës së votës. E kanë vendosur demokraci të konsoliduara me shumë sukses si Australia vetëm për këtë arsye. Edhe atje bëhej kërdia me blerjen e votës nga oligarkët.

 

Jam dakord plotësisht dhe e kam ngritur para disa vitesh uljen e moshës për të drejtën e votimit në 16 vjeç. Kam bërë fushatë për këtë në vitin 2013.

 

Jam i hapur plotësisht për proporcional të pastër, për lista të hapura. Proporcionali i pastër nuk mund të injorohet. Ka që tani disa inkonvenienca se rrezikon të pasurit dhe të fortët të fitojnë, por kjo është e drejtë,"tha Berisha. 

 

I pyetur nëse është i gatshëm të futet në zgjedhje të parakohshme parlamentare, Berisha shprehet se opozita është e gatshme për betejë ndonëse në zgjedhjet e 14 majit humbja ishte e thellë

 

"Opozita është e gatshme për betejë. Po përgatitet për betejë. Opozita ka për mision rikthimin e të drejtës së votës për shqiptarët. Opozita ka qenë, është dhe mbetet e betuar për sistem parlamentar në Shqipëri" tregoi Berisha.

 

Partitë e vogla opozitare u mblodhën dje rreth një tryeze për të kërkuar ndryshim të sistemit zgjedhor me referendum. Në platformën e tyre me 12 kërkesa, parashikohet sistem proporcional rajonal me më pak se 12 zona zgjedhore, lista 100% të hapura, ndryshim të pragut dhe uljen e moshës për votuesit nga 18 në 16 vjeç.