Udhëheqësit e Bashkimit Evropian (BE) mandatuan shefin e politikës së jashtme, Josep Borrell, për të hartuar një raport të ri mbi marrëdhëniet BE- Türkiye bazuar në parimet “strategjike dhe largpamëse”.

 

27 krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së, të cilët morën pjesë në një samit dy-ditor në Bruksel, ftuan Borrell-in dhe Komisionin Evropian të paraqesin një raport "mbi gjendjen e marrëdhënieve BE-Türkiye" pas zgjedhjeve të fundit në Türkiye.

 

Dokumenti duhet të bazohet “mbi instrumentet dhe opsionet e identifikuara nga Këshilli Evropian dhe me synimin për të vazhduar në një mënyrë strategjike dhe largpamëse”.

 

Udhëheqësit e BE-së bënë thirrje gjithashtu për një "rifillim të shpejtë të negociatave" nën kuadrin e OKB-së për gjetjen e një "zgjidhjeje gjithëpërfshirëse për problemin e Qipros".

 

Ata riafirmuan “perspektivën e anëtarësimit në BE të Ballkanit Perëndimor” por paralajmëruan se një “dështim për të de-eskaluar tensionet” në veri të Kosovës “do të ketë pasoja negative” si për Kosovën, ashtu edhe për Serbinë.

 

Samiti i BE-së miratoi gjithashtu strategjinë e re të bllokut për Kinën, të shpallur muajin e kaluar nga shefja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, që bazohet në "shmangien e rrezikut, por jo në shkëputje".

 

BE-ja dhe Kina do të "vazhdojnë të jenë partnerë të rëndësishëm tregtarë dhe ekonomikë", ndërsa BE do të synojë marrëdhëniet tregtare dhe ekonomike, të cilat duhet të jenë "të balancuara, reciproke dhe të dobishme për të dyja palët".

 

Ata gjithashtu u zotuan të vazhdojnë të reduktojnë "varësitë dhe dobësitë kritike, përfshirë zinxhirët e furnizimit"./AA