Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca zhvilloi një vizitë në Bari, Itali, në kuadër të programit ndërkufitar mes Shqipërisë, Italisë dhe Malit të Zi, për krijimin e laboratorëve të ushqimit, me qëllim nxitjen dhe përmirësimin e zinxhirit të vlerës për produktet tipike lokale.
Bashkë me përfaqësues nga Mali i Zi, autoritete të rajonit të Pulias, Molise dhe delegacionin shqiptar që e shoqëron, ministrja Krifca vizitoi laboratorin e komunitetit “FOOD4HEALTH”, në Tricase, me qëllim transmetimin e teknologjive për përpunimin e produkteve të fermerëve të vegjël dhe peshkatarëve, të certifikuara sipas standardeve ndërkombëtare.
Krifca theksoi se krijimi i laboratorëve të ushqimit i vjen në ndihmë fermerëve të vegjël e peshkatarëve për përpunimin e produkteve të tyre. Sipas saj, i njëjti model suksesi po aplikohet në Korçë për përpunimin e fruta-perimeve dhe në Vlorë për përpunimin e peshkut.
“Pata mundësinë të shikoj nga afër implementimin e aktiviteteve që po ndërmerren në kuadër të qasjes së përbashkët rajonale për zhvillimin ekonomik të komuniteteve lokale. Me partnerët italianë dhe ata nga Mali i Zi, shkëmbyem eksperiencat e deritanishme, të cilat kanë si synim mbështetjen e fermerëve dhe prodhuesve të vegjël dhe të mesëm”, tha Krifca.
Përmes këtij projekti, ministrja tha se nxitet përmirësimi i produkteve tipike lokale dhe konkurrenca e tregjeve të reja.
Ministrja informoi se, po shkon drejt përfundimit puna për ngritjen e inkubatorit të përpunimit të frutave në Korçë dhe atij të përpunimit të peshkut në Vlorë, si pjesë e projektit “Food4Health”.
Në inkubatorin e Korçës do të përpunohen prodhimet autoktone të zonës: mollë, qershi dhe kumbull, 3 nga llojet e frutave që kultivohen masivisht nga fermerët e Qarkut Korçë. Ndërsa inkubatori i Vlorës i vjen në ndihmë peshkatarëve të vegjël për përpunimin e peshkut. Me këto investime qeveria shqiptare synon mbështetjen e fermerëve të vegjël, zhvillimin e zinxhirit ushqimor dhe përmirësimin e cilësisë së produktit sipas standradeve më të mira, që kërkon tregu.
Ngritja e dy inkubatorëve është pjesë e një projekti ndërkufitar, i cili vjen si një bashkëpunim i ri, me qëllim që t’i japë më shumë vlerë prodhimit autokton.
Në to do të përpunohen për t’u kthyer në reçel, frutat e cilësisë së dytë e të tretë, të cilat nuk kanë mundësi të dalin në treg apo të grumbullohen në frigoriferë dhe e njëjta gjë edhe për peshkun në Vlorë.Produkti final nga këto inkubatorë do të jetë i certitifikuar sipas standardeve të BE-së, me qëllim rritjen e konkurrueshmërisë së produktit shqiptar në tregun vendas dhe atë të eksportit.
Sipas agjendës së aktiviteteve, vizita zyrtare e ministres Krifca në Itali, po vijon me një takim me kryetarin e bashkisë së Tricase-s, Antonio De Donno, të cilin e falenderoi për mikpritjen dhe bashkëpunimin e ofruar në realizimin me sukses të këtij projekti, ku Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural është partner drejtues.