Muzeu i Artit Mesjetar, përmes ciklit “Origjina dhe artizanati” na njeh me trashëgiminë kulturore, përcjellë ndër breza e duke trashëguar punën e dorës e traditën popullore.
Shqipëria ka një pasuri të madhe në qëndisje, thurrje apo dhe gdhendje.
Motivet artistike, mënyrat dhe teknikat e punimit do të jenë pjesë e programit edukativ të Muzeut Mesjetar për këtë muaj, ku në fokus këtë herë do të jetë “thurrja”, qilimat, rrugicat, jastëkët apo dhe gjithçka tjetër e cila është endur ndër shumë shekuj dhe ka mbërritur deri në ditët e sotme.
Kryesisht qilimat e kulturës sonë popullore janë të thurrur me motive gjeometrike, të cilat përsërisin veten në forma dhe ngjyra si dhe kornizohen me motive të tjera lineare e gjeometrike duke krijuar një kompozim dekorativ e harmonik. Qilimat shqiptarë emërtohen sipas figurës që ata paraqesin.
Motivet gjeometrike, zoomorfe dhe ato floreale, të ndërthurrura mes fijesh shumëngjyrëshe dhe mes kompozimeve dekorative, kanë rrënjë të thella në kujtesën tonë popullore.
MKAM, në fondet e tij përmban shumë elementë popullorë, të cilat do të ekspozohen si një shembull i mirë, i pasurisë sonë kombëtare.
Thurrja, është një nga elementët më tradicionalë të kulturës sonë, e cila ende sot ruhet me fanatizëm si një shembull i bukurisë dhe trashëgimisë sonë kulturore.