Një 19-vjeçar ka përfunduar në pranga pasi u kap në flagrancë duke transportuar kundrejt pagesës, 13 emigrantë që do të kalonin ilegalisht kufirin.
I riu me iniciale L. S., banues në Lushnjë u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në aksin rrugor nacional Gjirokastër-Tepelenë, në vendin e quajtur “Ura e Leklit”, duke transportuar me automjetin tip “Benz Vito”, 13 emigrantët nga vendet MENA.
“Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Seksionin Operacional dhe me Sektorin e Policisë Rrugore, në vijim të punës së pandërprerë, në terren, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, mbështetur dhe në inteligjencën informative, ka finalizuar operacionin policor të koduar “Road Guard 66″, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i 19-vjeçarit”, thuhet në njoftimin e policisë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti dhe 1 aparat celular.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.