Pas konfirmimit të lajmit se janë pezulluar fondet e Bashkimit Europian për bujqësinë, pas akuzave për korrupsion, ish kryeministri Sali Berisha i ka bërë thirrje Komisionit Europian që të hetojnë edhe projektet në Infrastrukturë.

 

Berisha tha se hetimet e BE-së janë një lajm i mirë dhe optimist për shqiptarët, por do duhet që të hetojnë edhe projekte të tjera të financuara prej tyre pasi shprehet i sigurt për shpërdorim të fondeve nga ana e qeveritarëve.

 

“Sot njoftohet se Komisioni Europian pezulloi për shkak të korrupsionit, fondet për bujqësinë shqiptare.

 

Për shkak të vjedhjes dhe shpërdorimit nga kleptokratë të parave të BE që janë jetike për bujqësinë shqiptare.

 

Por këto para shpërdorohen dhe vidhen nga agjencitë qeveritare shqiptare.

 

Ndaj na del edhe Akademia e Çobanëve tani dhe Materniteti i Mushkave.

 

Por nuk është vetëm kjo vjedhje, unë i bëj thirrje Komisionit Europian, në interesin më të mirë të shqiptarëve, por edhe të taksapaguesve europianë, të hetojnë çdo projekt në infrastrukturë në Shqipëri dhe janë jo të pakta. KE ka financime të mëdha. Bajpasi i Vlorë është krejtësisht vepër e tyre dhe shume projekte të tjera. Se këta nuk vënë asnjë tabelë si mirënjohje, aty vihet tabela Salillari.

 

Pra, është një lajm i mirë kjo, optimist për shqiptarët, sepse institucioni hetimor i BE veproi dhe vendosi.

 

Është e rëndësishme shumë që të dalë në pah i gjithë korrupsioni shqiptar në përmasat e tij”, tha Berisha.