Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se nga buxheti i shtetit nuk paguhet asnjë fond për impiantet e përpunimit të mbetjeve.
Në seancën plenare të Kuvendit, ku opozita dhe mazhoranca po zhvillojnë debate të forta, ministrja Ibrahimaj iu përgjigj akuzave për shpenzime të buxhetit për faturat e impianteve.
Sipas ministres Ibrahimaj, në buxhetin e shtetit janë planifikuar 200 milionë lekë në fondin e kontigjencës që mund të përdoren, në rast se Bashkia e Tiranës nuk arrin të paguajë për impiantin.
Ndërkohë, ministrja Ibrahimaj bëri të ditur se për impiantet e Fierit dhe Elbasanit nuk paguhet asnjë qindarkë nga buxheti i shtetit.
“Nuk paguhet asnjë para nga buxheti i shtetit për impiantet e trajtimit të mbetjeve të Elbasanit e Fierit. Ndërsa për impiantin e Tiranës është një fond në buxhetin e shtetit prej 200 milionë lekësh, fond kontigjence në rast të paaftësisë paguese të bashkisë së Tiranës. Kjo është transparente. E mora fjalën për të sqaruar opinionin publik”, tha Ibrahimaj.