80 oficerë të rinj do t’i shtohen Forcave të Armatosura të Shqipërisë. Pas përfundimit me sukses të studimeve në Akademinë e Forcave të Armatsura ata u titulluan në një ceremoni të veçantë, ku morën pjesë Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA general major Arben Kingji, gjeneralë, drejtorë e familjarë.

 

Në fjalën e tij përshëndetëse ministri Peleshi vlerësoi rrugëtimin e këtyre të rinjve që zgjodhën edukimin ushtarak, një sfidë jo e lehtë, siç u shpreh ai, por një zgjedhje e mbështetur tek vlerat, patriotizmi dhe kombi.

 

“Shërbimi në Forcat e Armatosura është më shumë sesa një mision, ai është mishërimi i detyrës së vështirë, sakrificës por në të njëjtën kohë është sfida e të qenurit i pari aty ku e kërkon kombi e detyra”, theksoi në fjalën e tij Peleshi.

 

Ministri i Mbrojtjes vlerësoi gjithashtu edhe punën që bëhet në Akademinë e FA për formimin e të rinjve që zgjedhin të bëhen pjesë e Forcave të Armatosura. “Synojmë ta kthejmë këtë akademi në një “laborator” të formimit të gjeneratës së re të oficerit të ri, liderit të ardhshëm më të mirë në nivel kombëtar”, deklaroi ai.

 

Për vitin akademik 2023-2024 në këtë Akademi do të çelen programet bachelor në “Marrëdhënie Ndërkombëtare në Fushën e Mbrojtjes” dhe “Shkënca Komunikimi në Fushën e Mbrojtjes”, programe, të cilat sipas ministrit mbështeten në komponentët e lidershipit, karakterit, ekselencës akademike e përgatitjes së lartë fizike, model i huazuar nga eksperienca 240 vjeçare amerikane, falë partneritetit me Akademinë Ushtarake të SHBA-ve Ëest Point.

 

Më tej, gjatë fjalës së tij, ministri tha se, “si vend anëtar i NATO-s, këta oficerë do të mësojnë të drejtojnë ekipe efektive plotësisht të afta të mbështesin operacionet e përbashkëta dhe shumëkombëshe, në mesin e një ndryshimi teknologjik dhe organizativ të shpejtë e të vazhdueshëm”.

 

Peleshi njoftoi se kanë nisur bashkëpunimet me qendrën e ekselencës kibernetike në Estoni, ndërsa ka filluar edhe procesi për anëtarësimin në qendrën e ekselencës në Finlandë për kërcënimet hibride.

 

Duke folur për ngritjen e qendrës së Inovacionit teknologjik, pjesë e FA, ministri Peleshi tha se ajo do të shërbejë për për thithjen dhe vënien në zbatim të ideve inovative në funksion të përmirësimit të kapaciteteve dhe standardeve, si dhe kushteve të punës e jetesës së djemve dhe vajzave në uniformë.

 

“Sfidave që paraqet koha, por edhe falë profesionit tuaj të veçantë, qeveria shqiptare ka vendosur tu përgjigjet nëpërmjet një vëmendjeje të shtuar, duke ofruar një paketë mbështetjeje komplekse që përfshin modernizimin, rritjen e pagave, trajtim financiar për vështirësitë si dhe mbështetje me strehim për oficerët që shërbejnë larg qendrave të tyre të banimit”, theksoi Peleshi.

 

Në fund ai ftoi të rinjtë e të rejat që të ndjekin rrugën e këtyre oficerëve të sapodiplomuar, t’u bashkohen Forcave të Armatosura, për t’i shërbyer një realiteti të ri, më të mirë pajisur, më të mirë trajnuar dhe më të mirë arsimuar.

 

Pjesë e oficerëve të rinj që sapo morën këtë titull janë edhe 52 studentët e brezit të parë të degës “Shkenca Ushtarake”, ndërsa 28 janë të kursit të oficerit të ri. Mes tyre titullin “oficer” e morën edhe 21 vajza.