Ministri i Brendshëm, Taulant Balla u takua sot me strukturat e Policisë së Drejtorisë Vendore të Policisë së Korçës, pas operacionit mbrëmjen e djeshme në Maliq, ku autori i krimit hapi zjarr ndaj policisë.
Balla falënderoi nga zemra forcat e Policisë së Shtetit të Drejtorisë Vendore Korçë për kryerjen e detyrës gjatë gjithë natës së mbrëmshme deri sot në mëngjes në Maliq edhe në kushtet e kërcënimit për jetën.
Ai siguroi se do të bëjë gjithçka që efektivët e policisë të ndjehen gjithnjë e më të respektuar, gjithnjë e më të vlerësuar, gjithnjë e më të shpërblyer për atë që bëjnë për vendin.
“Dua t’i përcjell një përqafim vëllazëror prindërve tuaj, bashkëshorteve, fëmijëve tuaj, motrave e vëllezërve tuaj, të cilët janë mbështetja juaj më e madhe, po janë edhe ata që më shumë se sa askush e përjetojnë peshën e uniformës suaj, për të cilën ju jeni gati të vini në rrezik edhe vetë jetën tuaj! Kjo është një ditë për t’i kujtuar edhe kolegët tuaj që nuk jetojnë më, pikërisht sepse dhanë jetën në krye të detyrës, e për të përsëritur angazhimin e kryeministrit Edi Rama për të mbështetur familjet e fëmijët e tyre deri në fund, jo vetëm falë statusit të tyre të Fëmijëve të Republikës, po edhe në çdo hap të rrugës së tyre, ku vërtetë boshllëkun e babait nuk e zëvendëson dot askush dhe asgjë, po ku ata nuk do të jenë kurrë vetëm”, theksoi ai.
Policia e Korçës u angazhua për kapjen e autorit të vrasjes së bashkëshortes mbrëmjen e djeshme në fshatin Zëmblak, Maliq. Shtetasi Gj. M., 55 vjeç ka hapur zjarr drejt punonjësve të policisë dhe në pamundësi për t’u larguar ka vrarë veten.