Një tjetër vdekje është regjistruar nga virusi i Nilit Perëndimor në vetëm dhjetë ditë në Greqi.

 

Sipas mediave të huaja, mësohet se janë regjistruar 11 raste në total, tetë prej të cilave kanë ndodhur vetëm në javën e fundit. Pas vdekjes së 92-vjeçares pak ditë më parë, sot EODY (Organizata Kombëtare e Shëndetit Publik) njoftoi një tjetër vdekje nga virusi i Nilit Perëndimor, atë të një gruaje 81-vjeçare. Bëhet fjalë për vdekje që përfshijnë pacientë të infektuar me virusin dhe me probleme të Sistemit Nervor Qendror.

 

Sipas EODY nga fillimi i periudhës 2023, deri në datën 01.08.2023, në Greqi janë diagnostikuar gjithsej 11 raste shtëpiake të infeksionit me virusin e Nilit Perëndimor, nga të cilat dhjetë kanë paraqitur probleme të Sistemit Nervor Qendror (encefaliti, meningjiti ose paraliza akute flakcide).

 

Tetë raste të reja janë raportuar gjatë javës së kaluar. Aktualisht po trajtohen tre pacientë, mes të cilëve një në Repartin e Kujdesit Intensiv.

 

Sipas EODY, për çdo rast të infektimit me virusin e Nilit Perëndimor me sulm në Sistemin Nervor Qendror, janë afërsisht 140 persona të infektuar me virusin me simptoma të lehta ose asimptomatike.

 

Të 11 rastet janë regjistruar në këto bashki të vendit:

 

Dy raste në Bashkinë Nestos

 

Dy raste në Bashkinë e Kardicës

 

Një rast në Komunën e Muzakit

 

Një rast në Bashkinë Palamas

 

Një rast në Bashkinë e Larisës

 

Një rast në Bashkinë Veria

 

Një rast në Bashkinë Pellë

 

Një rast në Komunën e Heraklisë.

 

Në Bashkimin Evropian deri më 26 korrik të këtij viti, përveç Greqisë, raste të infektimit janë regjistruar edhe në Itali dhe Hungari.

 

Si përfundim, EODY rekomandon marrjen e masave mbrojtëse personale ndaj mushkonjave si masat më të përshtatshme për kontrollin e sëmundjes.