Gjykata Themelore e Ferizajt e ka dënuar me burgim të përjetshëm Dardan Krivaçën për vrasjen e Marigona Osmanit. Ndërsa, i dyshuari tjetër, Arbër Sejdiu, u dënua me 15 vjet burgim për vrasje të rëndë.
Dy të akuzuarit, Krivaça dhe Sejdiu, megjithatë u liruan nga akuza e dhunimit, përkatësisht ndihmës në kryerjen e dhunimit, pasi sipas Gjykatës nuk ka pasur prova të mjaftueshme për të vërtetuar një gjë të tillë.
Gjyqtari i rastit tha se për dënimin e Krivaçës është marrë parasysh edhe mosha shumë e re e Marigona Osmanit, e cila sapo kishte mbushur 18 vjet.
Marigona Osmani ishte 18-vjeç kur u vra më 22 gusht të vitit 2021 në banesën e të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaça, në qytetin e Ferizajt.
Sipas aktakuzës, Dardan Krivaqa dyshohet se më 21 gusht 2021, rreth orës 10:14, në banesën e tij, pa pëlqimin e Marigona Osmani, e kishte detyruar atë të kryente marrëdhënie seksuale dhe e kishte abuzuar e maltretuar në forma të ndryshme.