Rreth 50 kilogramë kokainë, në vlerën e 35 milionë eurove janë gjetur në një konteiner me karkaleca të ngrirë që vinte nga Ekuadori.

 

Sipas mediave të huaja ky rast është zbuluar në Portin e Livornos, ku në konteinerin me karkaleca të ngrirë ishte fshehur kokainë e pastër me vlerë 35 milionë euro, e cila do të përfundonte në Toskana.

 

Sipas mediave italiane, në pranga ka rënë 23-vjeçari shqiptar, Islam Kurti, i cili dyshohet të kishte rolin e transportuesit. I riu kishte hyrë në zonën doganore natën, mes të premtes së kaluar dhe të shtunës për të marrë kokainën dhe për t’ua dorëzuar atyre që e kishin porositur nga Amerika e Jugut.

 

Policia hyri në veprim pasi Kurti kishte marrë tashmë drogën, kur po niste makinën për t’u kthyer në provincën e Pizës. Fatmirësisht nuk ka pasur nevojë për përdorimin e forcës dhe askush nuk është lënduar gjatë operacionit.

 

Kokaina ishte e paketuar në 45 pako celofani me simbolin e Audit me të shkruar modelin e makinës, RS 6, një makinë sportive prestigjioze e grupit gjerman të automobilave. Siç ndodh shpesh, veshja e pakove ishte gjuha e koduar për të treguar se ishin ato që duheshin marrë.

 

Policia tha se ky operacioni shënon një hap të mëtejshëm në favor të luftës kundër trafikut të drogës në Toskanë dhe në nivel kombëtar dhe është rezultat i një aktiviteti kontrolli të përditshëm dhe metodik në terren.