Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj do të pyetet sërish nga SPAK në lidhje me hetimin për koncesionin e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale.
Mësohet se Beqaj do të pyetet në lidhje me udhëtimet që ka bërë drejt Italisë dhe Vienës së bashku me ish-zëvendësin e tij Klodian Rrjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapaj që fitoi koncesionin, të dy këta të fundit të arrestuar tashmë.
Përveç Beqajt, në SPAK do të pyeten edhe 4 ish-zyrtarë të tjerë. Marrja e tyre në pyetje ka qenë sugjerim i GJKKO në lidhje me hetimet.
Një ditë më parë reagoi në rrjetet sociale vetë Ilir Beqaj, i cili deklaroi se sterilizimi ngriti në një tjetër nivel kirurgjinë shqiptare dhe se kontratën e koncesionit e firmosi për nevoja pune.
Por ish-ministri i Shëndetësisë nuk përmendi aspak mungesën e dokumentit origjinal të kontratës së koncesionit të sterilizimit, që SPAK nuk po e gjen.