Kuvendi i Shqipërisë pritet të mblidhet sot në seancë plenare, duke nisur prej orës 10:00. Në rend të ditës janë parashikuar dhjetë pika. Mes tyre shkarkimi i ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj dhe emërimi në vend të saj i Ervin Metes. Po ashtu, është dhe votimi për emërimin në detyrën e ministrit të Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit.

 

Ndërkohë, në pikat e tjera të rendit të ditës janë, diskutimi dhe miratimi i disa marrëveshjeve dhe ndryshimeve ligjore.

 

Kështu, pritet diskutimi dhe miratimi i projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Malit të Zi, për sigurimet shoqërore”, projektligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në marrëveshjen e pjesshme të zgjeruar (EPA) për themelimin e regjistrit të dëmeve të shkaktuara nga agresioni i Federatës Ruse kundër Ukrainës”, projektligji “Për miratimin e rezolutës nr.463 (2022), të Bordit Drejtues të CEB, “Rritja e kapitalit të Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës (CEB)””.

 

Në rend të ditës janë diskutimi dhe miratimi i projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Sllovakisë, për eliminimin e tatimit të dyfishtë në lidhje me tatimet mbi të ardhurat dhe parandalimin dhe shmangien e evazionit tatimor”, projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunimin teknik 2022 për projektin “Ekonomia qarkulluese për zhvillimin e qëndrueshëm urban në Shqipëri”.  Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.74/2014, “Për armët”, të ndryshuar”. Si edhe Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8577, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, të ndryshuar.